Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Rreth mesditës së 22 shkurtit, ku është gjetur trupi i pajetë i 20-vjeçarit Riccardo Merkuri, i cili një ditë më parë ishte hedhur në ujërat e portit të Civitanova Marche. Sipas autoriteteve, gjithçka ndodhi pas një episodi të rëndë dhune në banesën e familjes, ku 20-vjeçari kishte ushtruar dhunë brutale ndaj nënës së tij Albana Kastrioti, duke e goditur me grushte në fytyrë. Si pasojë e dhunës, 53-vjeçarja pësoi frakturë të nofullës dhe u gjet e shtrirë në dysheme, e gjakosur dhe pa ndjenja, pas britmave që alarmuan fqinjët rreth orës 21:00.

Në momentin e ngjarjes, bashkëshorti i saj, Mario Merkuri, ndodhej jashtë banesës. Pas sulmit, i riu u largua me automjetin e tij, duke lënë celularin në shtëpi, dhe u drejtua për në Civitanova Marche. Automjeti u gjet pranë hyrjes së portit. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë filmuar fillimisht në hyrje të portit dhe më pas në momentin kur hidhej në det. Një regjistrim tjetër e tregon duke dalë sërish në sipërfaqe dhe duke u hedhur përsëri, pa u rishfaqur më. Operacioni i kërkimit u zhvillua nga zjarrfikësit, palombarët e Teramo, Garda Bregdetare dhe karabinierët. Trupi i pajetë u gjet një ditë më pas.

Aktualisht, Albana Kastriot ndodhet e shtruar në spitalin e Maceratës në gjendje të rëndë, nën kujdes intensiv. Familja, me origjinë shqiptare dhe prej më shumë se 20 vitesh në Itali, njihet mirë në komunitetin e Pollenzës. Për këtë ngjarje të rëndë flet në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” mikesha e familjes, e cila rrëfen detaje dhe gjendjen e rënduar të nënës. Ajo tha se për moderatoren dhe autoren e emisionit Evis Ahmeti ajo tregoi se nëna nuk di asgjë mbi fatin tragjik të të birit, pasi ndodhet në koma.

“Ishim të gjithë në varrim. Kisha ishte plot e përlot. Kam ndenjur për orë të tëra pranë vajzës, pasi qante. Mikesha ime është në koma, pasi e kanë bërë operim. Nuk e di akoma që i biri nuk është më. Janë dy djem. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Aty ishte e ëma dhe i biri. Ajo fatkeqësisht shpëtoi. Kush ka fëmijë, nuk shkon gjithçka vaj. Ose do ketë qenë ndonjë incident, do ketë shtyrë të ëmën. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Imagjino kur morën vesh se Riccardo kishte ikur nga shtëpia dhe policia kishte gjetur makinën në port, një grup të rinjsh shkuan atje me shpresën se mos e gjenin. Menduan se ishte fshehur. Telekamerat e kanë regjistruar se ai është hedhur, jo një herë, por për dy. Të gjitha mediat thonin; ai ishte i dhunshëm. Ai nuk kishte qenë i dhunshëm. Ish-e dashura e tij foli në kishë me fjalë shumë të mira. Kishin pasur një lidhje 2-vjeçare, problemet e tyre. Me rininë duhet të flasim, t’i qëndrojmë afër më shumë. Jo të presim momentin e fundit kur ndodh tragjedia. Të gjithë jemi fajtorë, edhe mënyra se si e gjykojmë. Mos të arrijmë deri aty sa të masakrohemi!”, e mbyll rrëfimin e saj mikesha e familjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb