Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, duke iu referuar ngjarjes ku u arrestua një i ri, djalë i një efektivi policie, pasi akuzohet se ka urdhëruar një vrasje, theksoi se Policia e Shtetit ka nevojë për vetting.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Softa tha se nëse do të kishte vetting, do të kishte më pak privatësi për policët, si dhe të hetohej pasuria e tyre dhe e familjes së tyre.

Duke u ndalur te vrasja e Edmond Papës, për të cilën akuzohet dhe Albano Velo, djali i policit Dilaver Velo, Softa tha se kjo ngjarje u zbardh falë kamerave të sigurisë.

“Ndihmuan kamerat e sigurisë për zbardhjen e vrasjes së Papës. Elementi i kamerave është i rëndësishëm. Tirana sot është më e sigurt. Por ka disa ngjarje që nuk janë zbardhur. Mendoj se ka ardhur koha që të ketë një hartë të shtrirjes së këtyre kamerave. Kjo hartë duhet të jetë mbi bazën e komisariateve. Nëse nuk do kishte kamera, ngjarja nuk do ishte zbardhur. kamerat duhet të kenë rezolucion. Krimi nuk është më ai që ka qenë në 97, është bërë më i sofistikuar. Sot bëhet fjalë për një djalë të përfshirë në krim, që është djalë i një polici. Ndaj vettingu duhet të shtrihet në polici. Në momentin që ke një uniformë policie nuk duhet të kesh privatësi. Mund të përdoret infrastruktura e policisë, apo mjete të tjera. Vettingu nuk është vetëm profesional, por dhe për familjen e tij. Policia vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen dhe nën tutelën e politikës dhe të krimit. Politika duhet ta lërë të lirë policinë të bëjë detyrën. Drejtori i Policisë duhet të zgjidhet nga Parlamenti, si kryeprokurori. Nëse zgjidhet nga parlamenti shqiptar do kishte më shumë konsensus.”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb