NGA REZARTA DELISULA*

Skënder Shehu, djali i ish-kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, është përjashtuar nga hetimet që po kryhen në Suedi për veprën penale të lëndëve narkotike. Me një vendim të Prokurorit të Rrethit Stokholm, thuhet se nga provat ekzistuese nuk mund të vërtetohet se ai ka kryer ndonjë vepër penale.

Aktualisht Skënder Shehu ndodhet në kryeqytet dhe i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” u shpreh se për çështjen nuk mund të shprehej më gjatë, pasi ajo është në hetim, por për sa i përket atij, ai është i përjashtuar nga këto hetime dhe ka një vendim të Prokurorit të Rrethit Stokholm lidhur me këtë.

“Këto janë dokumentet në origjinal, dhe të noterizuara e përkthyera shqip, ndaj mund t’i shihni”,- shprehet Skënder Shehu. Djali i dytë i ish-kryeministrit Mehmet Shehu u kthye sërish në epiqendër të mediave më 17-18 maj, ku sipas raportimeve u deklarua prangosja e tij në Suedi në muajin prill, pasi në një banesë që figuron në emër të tij dhe që ai ia kishte lënë në dorë të dytë një shtetasi tjetër u gjet marijuanë.

Vendimi i Prokurorisë së Stokholmit
Më datë 6 korrik 2016, Prokurori i Rrethit Tomas Malmenby, ka marrë vendimin për ngjarjen e ndodhur më 30 prill 2016, çështje e cila emërtohet: “Vepër e rëndë penale për lëndë narkotike”. Në këtë vendim, duke iu referuar Skënder Shehut, shkruhet: “Tashmë nuk ekziston asnjë arsye për të zhvilluar hetime paraprake lidhur me të dyshuarin në fjalë. Nga materiali hetimor i paraqitur, nuk mund të provohet se i dyshuari ka kryer ndonjë vepër penale. Hetimet e mëtejshme mendohet se nuk mund të ndryshojnë provat në mënyrë vendimtare”.

Ndërkaq më parë, më 3 maj, ndaj Skënder Shehut ishte zhvilluar edhe një seancë gjyqësore për masën që do merrej karshi tij, ku me kërkesë të palës akuzuese kërkohej paraburgim.

Në përfundim të seancës së zhvilluar, gjykata shpalli refuzimin e kërkesës së prokurorisë për lënien në paraburgim të Skënder Shehut, ndërsa në arsyetimin e trupës gjykuese shkruhet: “Skënder Shehu nuk ka arsye potenciale që të konsiderohet i dyshuar për veprën penale për të cilën u shpreh pala paditëse”. Në fund të protokollit jepet shënimi: “Protokolli u bë i njohur”, suedisht “Protokollet uppvisat”, çka, sikurse shpjegon Skënder Shehu, do të thotë se ky procesverbal që nga data 3 maj 2016 ora 15:20 mund të lexohej prej kujtdo dhe çdo njeri i interesuar mbi çështjen të merrte një kopje të tij.

“Sigurisht që ky protokoll, apo versione ose derivate të tij, mund të lexoheshin edhe më datë 17 maj dhe në bazë të predispozicionit mund të lexohej krejt njoftimi apo një pjesë e tij”, – përfundon Skënder Shehu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: