Djali i presidentit të Bolivisë, Luis Marcelo Arce Mosquera, i arrestuar të enjten me akuza për “dhunë në familje”, u lirua me urdhër gjykate, që parashikon se ai duhet të ndjekë seanca mbështetjeje psikologjike për pesë muaj.

Gjatë seancës, paditësja u paraqit në gjykatë së bashku me avokatin e saj dhe kërkoi të tërhiqte akuzat. Ajo kishte dorëzuar një certifikatë mjekësore që i jepte 12 ditë pushim nga puna.
Prokuroria kërkoi arrest me burg për 180 ditë, por gjyqtarja vendosi ndryshe dhe e liruar 33-vjeçarin me kusht që të ndjekë terapi psikologjike për pesë muaj.

Në pamjet e transmetuara nga mediat boliviane, Luis Marcelo Arce Mosquera shihet duke dalë nga gjykata në Santa Cruz, në lindje të Bolivisë, duke mbajtur kapelë dhe maskë kirurgjikale.
Presidenti bolivian Luis Arce, i cili do të përfundojë mandatin e tij pesëvjeçar në nëntor, pasi mori vesh për rastin, deklaroi se fëmijët e tij janë përgjegjës për veprimet e tyre.

Presidenti në largim i Bolivisë, baba i tre fëmijëve, është vetë nën hetim pas një akuze nga një ish-zyrtare e autoritetit të minierave dhe mineraleve, e cila pretendon se ai e ka lënë shtatzënë dhe nuk ka njohur fëmijën e lindur në 2024.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb