Atalanta dhe Gaspetini nuk humbasin kohë, pritën me padurim rikthimin e Berat Gjimshitit duke e hedhur në fushë në mundësinë e parë që iu dha. Qendërmbrojtësi kuqezi lë pas dëmtimin e pësuar duke zbritur në fushë përballë Man.United, ishte zëvendësimi i parë për bergamaskët me fillimin e pjesës së dytë. Pa diskutim feston për këtë lajm edhe trajneri Edy Reja, diga kuqezi pritet të jetë në dispozicion të kombëtares për ndeshjet e nëntorit. Për fat të keq, C.Ronaldo i prishi fetën Gjimshitit dhe Atalantës, dy herë ylli portugez, në limitet e çdo pjese realizoi nga një gol duke i mohuar fitoren ekipit italian.

Atalanta 2 Ronaldo 2, ky është përkufizimi më i saktë për këtë sfidë, me “djajtë e kuq” që arrijnë të marrin një pikë dhe qëndrojnë në krye të Grupit F me 7 pikë, po aq sa edhe Villareal, ndërsa Atalanta me 5 pikë zbret në vendin e tretë. Iliçiç kaloi bergamaskët në avantazh në minutën e 12-të ndërsa në minutën e 45-të Ronaldo barazoi shifrat. E njëjta histori edhe në fraksionin e dytë, Zapata kaloi Atalanta në avantazh në minutën e 56-të, një gol që u konfirmua nga VAR ndërsa në minutën e 91-të Ronaldo shënoi sërish, duke i dhuruar United një pikë me shumë peshë, për portugezin ky ishte goli i tij i 139 në Champions League.
(BalkanWeb)
