Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar nga Komisioni i Ekonomisë për rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si funksionon tregu i naftës në Shqipëri.
Braçe deklaroi se ndryshimi i fundit i çmimit të naftës është bërë përmes një mesazhi të dërguar në telefon te përgjegjësit e pikave të karburantit. Sipas tij, çmimi i naftës u ndryshua dje rreth orës 16:00 përmes një SMS-je që u është dërguar të gjitha pikave të furnizimit.
Ai theksoi se çmimet më të larta regjistrohen te pikat e markave të njohura, ku sipas tij çmimi varion nga 198 deri në 202 lekë për litër. Braçe tha se prej katër vitesh këto kompani e kanë “sfidë personale” që çmimi të mos bjerë nën 200 lekë dhe të qëndrojë gjithmonë mbi këtë nivel.
Deputeti socialist shtoi se po përpiqet të mbledhë mesazhet e dërguara për të provuar se ndryshimet e çmimeve koordinohen nën ndikimin e Shoqata e Hidrokarbureve, të cilën e akuzoi se funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve. Sipas tij, këto mesazhe nuk dërgohen vetëm nga drejtuesit e kompanive, por në disa raste edhe nga zyrtarë të kësaj shoqate.
Braçe theksoi gjithashtu se problemi kryesor nuk qëndron vetëm te tregu i pakicës, por te mënyra si funksionon tregu i shumicës. Ai argumentoi se kompanitë nuk blejnë më naftë drejtpërdrejt në bursë, por përmes një ndërmjetësi – broker – që e sjell karburantin në vend dhe e depoziton në rezervat e kompanive.
“Unë vazhdoj të insistoj te tregu i karburanteve, me thënë të drejtën, dhe jo thjesht tek veprimi juaj, por tek modeli i tregut që ata kanë ndërtuar prej katër vitesh, po flas prej katër vitesh. Po, ato janë çmimet dhe janë vendosur me një mesazh. Çmimi i naftës ka ndryshuar dje në orën 16:00 sipas një SMS-je të mbërritur në çdo përgjegjës pike karburanti.
Çmimi është më i lartë tek ato që janë të brenduara, pra çmimi më i lartë është ai 198-202 lekë, që këta e kanë sfidë personale. Kanë katër vjet që e kanë sfidë këtë 202 lekëshin; kur e patën para katër vitesh e kanë sfidë mos ta ulin nën 200 lekë dhe ta çojnë gjithmonë mbi 200 lekë.
E kanë ndryshuar me një SMS dhe unë po përpiqem shumë që ato SMS t’i mbledh dhe t’jua dërgoj dhe, mbi të gjitha, nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, që është Shoqata e Hidrokarbureve. Këto SMS nuk i dërgojnë thjesht drejtuesit e kompanive, por këto SMS, veçanërisht tek pikat e bardha, i dërgojnë zyrtarët e Shoqatës së Hidrokarbureve. Pra Shoqata e Hidrokarbureve funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në këtë rast.
Ju me të drejtë po monitoroni tregun e pakicës, por problemi është atje ku ju thashë, tek tregu i shumicës. Cili është modeli i tregut që zotërinjtë kanë ndërtuar? Këta nuk blejnë më naftë në bursë; këta blejnë nga një broker që e sjell naftën në territor. Është ky brokeri që vjen dhe e derdh naftën në depozitat e këtyre në periudha të ndryshme kohore dhe këta blejnë dhe shesin me çmimin e ditës që dalin nga depozita. Ky model tregu i ka hequr të gjitha avantazhet e blerjeve afatgjata të sasive të naftës, ose ia ka kaluar këtij brokeri, i cili nuk është entitet tatimor shqiptar dhe nuk është i regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili merr këto përfitime të blerjeve në afatgjatë.
Në bursë sot blen naftë ditore, 10-ditore, 30-ditore, 3-mujore dhe 6-mujore. Sot po të futesh në bursë, blen me këto afate dhe këto blerje në tregun shqiptar i bën ky broker. Madje këta kanë shuar fare parimin që duhet të funksionojë një depozitë.
Dollari është përtokë, pra transaksionet kryhen në dollar. Euro është zhvlerësuar, që është element i rëndësishëm tek çmimi, por kjo nuk është reflektuar sepse ky model tregu nuk e lejon këtë gjë.”, tha ai.
