Kjo është hapësira ku të moshuarit e Shtëpisë “Strehë dhe Shpresë” kalojnë pjesën më të madhe të ditës. Leximi, lojërat e ndryshme si shahu dhe dominoja zënë një pjesë të mirë të kohës së tyre, por edhe shikimi i programeve televizive, është një tjetër aktivitet që ata ndjekin. 75-vjeçaren Naze Isain e gjetëm në këtë dhomë me vajzën e saj të sëmurë. Ajo ka tetë muaj që ndodhet në shtëpinë e të moshuarve ku thotë se ndihet mjaft mirë, por jetesën e ka pasur të vështirë. I shoqi i ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare e pas vdekjes së tij, nis karvani i vuajtjeve për të.

Ajo tregoi se si e kalon ditën në shtëpinë e të moshuarve.
Nazja, ka vetëm një dëshirë, që pasi të ndahet nga kjo jetë dikush të kujdeset për vajzën e sëmurë.

Pak më tutje gjetëm 85-vjeçaren, Nusha Lleshi nga Laçi. Ajo tha se preferon të qëndrojë në këtë vend të shtëpisë, ku kalon dhe pjesën më të madhe. Qejf ka të konsumojë pak raki me burrat e tjerë të shtëpisë, pasi dhe në të kaluarën ka punuar në banak. Nushja tha se i shoqi i ka ndërruar jetë, po ashtu dhe i biri.

Shpesh e vizitojnë mbesat, që tashmë janë martuar, po siç thotë ajo me humor: “mallin e mirë e marrin të gjithë”.

Dëshira e Nushes është vetëm një: Që qeveria t’i ndihmojë

Petrit Lupa, 87-vjeç ka pak kohë që qëndron i strehuar në shtëpinë e të moshuarve. Vajzën thotë se e ka në Londër, ndërsa djalin, në Kanada. Ishte zgjedhja e tij që të qëndronte në këtë shtëpi, pasi pohoi se është atdhetar dhe e do shumë Shqipërinë. Dikur, ai ka qenë pjesë e medias. E nisi redaktor në një gazetë në kryeqytet dhe u rikthye në vendlindje, Elbasan, ku punoi prej shumë vitesh në një gazetë lokale.

Dëshira e Petritit, është që fëmijët dhe nipërit e mbesat të kthehen një ditë në Shqipëri dhe të kontribuojnë për vendin.

62-vjeçarja Liljana Sinani nuk i përmban lotët kur flet për historinë e saj. Prindërit i ndërruan jetë të rinj, ndërsa vetë zgjodhi të mos martohej që të kujdesej për vëllain e sëmurë. Ajo zgjodhi që të strehohej në këtë vend, që i vëllai, të qëndrojë në qendrën e Murgeshave ku aty ka të gjithë trajtimin e nevojshëm.

Dëshira e Liljanës është që vëllai të jetë sa më mirë.
Dikur ish-prokuror dhe kontribuues në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë në krah të Sabri Godos. Aksidenti që pësoi me makinën e punës do të ndryshonte tërësisht jetën e Gëzim Dhampirajt, ku iu desh të bënte disa operacione. Gjendja përkeqësohet akoma më tepër në fillim të viteve të demokracisë, kur dy djemtë, njëri i diplomuar për mjekësi e tjetri ende në mes të studimeve të larta do të mbyteshin në kanalin e Otrantos në përpjekje për të shkuar në Itali.

Dhimbjet nuk kanë të sosur për Gëzimin, ku një vit pas vdekjes së dy djemve i ndërron jetë edhe bashkëshortja, që nuk mundi të përballonte dot dhimbjen.

Haxhire Gurakuqi u gjend pa kuptuar e me shpejtësi në të gjitha mediat vendase. Ajo figuronte si pronare në inceneratorin e Tiranës, për të cilën ajo ende nuk e di se kush e ka implikuar. Disa para të dhuruara nga disa miqtë e saj, ajo i fshehu nën dhe, e më pas, i futi në bankë sepse e kishte të nevojshme të bënte një ndërhyrje kirurgjikale në sy, pasi shikimin e ka të cunguar.

Haxhireja ka vetëm një dëshirë, që shteti t’i kthej lekët që i janë bllokuar në bankë dhe t’i përdorë për të bërë operimin aq shumë të nevojshëm.

Në vitet më të vështira të jetës së tyre, të moshuarit kanë shumë nevojë për dashuri e respekt. Ata janë përpjekur gjithmonë të përcjellin vlerat më të mira te fëmijët e nipërit me përkujdesje e dashuri, ndaj nuk meritojnë të jenë as të varfër e as të vetmuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb