Një ngjarje e rëndë tronditi Gjirokastrën mesditën e së dielës, ku një 15-vjeçar nga fshati Valare i dha fund jetës, duke u vetëvarur në banesën e tij. I mituri u dërgua në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës nga familjarët, pa shenja jete.
15-vjeçari ishte nxënës i klasës së X-të në gjimnazin “Siri Shapllo” në Gjirokastër, ku vetëm 2 muaj më parë, po në të njëjtën formë tragjike i dha fund jetës një vajzë 15-vjeçare që ndodhej në klasë paralele me djalin.
Mësues të gjimnazit “Siri Shapllo” bëjnë me dije për News24 se 15-vjeçari ishte nxënës me arritje të shkëlqyera mësimore, ku spikaste veçanërisht në lëndën e informatikës dhe në gjuhën angleze. Megjithatë, nga vetë stafi pedagogjik dhe nxënësit e tjerë të shkollës ishte vërejtur një sjellje jo e zakontë për natyrën e 15-vjeçarit dhe rasti ishte marrë në trajtim edhe nga psikologia e shkollës.
I mituri jetonte në fshatin Valare të Gjirokastrës, së bashku me nënën dhe 2 motrat e tij më të vogla, ndërsa babai i djalit eshte emigrant.
Persona të afërt me 15-vjeçarin thonë për News24 se i mituri kishte probleme familjare dhe herë pas here përdorte në formë kërcënimi për ta shprehjen “do vras veten”. Megjithatë, grupi hetimor po merr në pyetje persona që mund të kenë dijeni për shkaqet që e çuan 15-vjeçarin të ndërmarrë këtë akt ekstrem.
