Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të rritjes së pagave dhe reformimit të skemës së pensioneve, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të të ardhurave dhe mbrojtjes së fuqisë blerëse.
Gjatë podkastit të tij “Flasim”, Rama bëri të ditur se paga minimale në vend ka arritur në 500 euro që prej 1 janarit, ndërsa paga mesatare është rritur me rreth 10% si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Sipas tij, objektivi kryesor nuk është vetëm rritja nominale, por kompensimi i ndikimit të inflacionit mbi qytetarët.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me sektorin publik, ku do të aplikohet indeksimi i pagave çdo dy vjet, i shoqëruar me mekanizma shtesë për kategori të veçanta si mësuesit, mjekët, infermierët, efektivët e policisë, ushtarakët dhe administrata.
Në fokus të veçantë është vendosur sistemi shëndetësor. Nga muaji qershor, priten rritje të pagave në disa shërbime kyçe, ku mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel si kolegët e tyre edhe për sa i përket pagesës së rojeve. Shtesat mujore parashikohen të arrijnë deri në 18 mijë lekë për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët, të shoqëruara me pagesa më të larta për turnet dhe rivlerësim të përvojës.
Kreu i qeverisë theksoi se këto masa janë të mundura falë rritjes ekonomike dhe synojnë të japin një ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve.
Sa i përket pensioneve, Rama prezantoi një skemë të re rritjeje graduale, ku përfitimet e rritura këtë vit do të dyfishohen vitin e ardhshëm, do të trefishohen në vitin 2028, katërfishohen në 2029 dhe pesëfishohen deri në vitin 2030.
Paralelisht, qeveria po përgatit edhe një kolonë të dytë pensioni, ku çdo kontribues do të mund të depozitojë një shumë simbolike mujore, e cila do të dyfishohet nga shteti ose punëdhënësi. Ky fond individual do të shtohet mbi pensionin ekzistues, duke krijuar një siguri më të madhe financiare për moshën e tretë.
Sipas Ramës, ky është një model i bazuar në praktika ndërkombëtare dhe synon të forcojë sistemin aktual, duke ofruar më shumë stabilitet dhe mbështetje për qytetarët në afatgjatë.
