Deputetja e opozitës së re Rudina Hajdari këmbëngul në ndryshimin e sistemit zgjedhor, për ta bërë atë me lista të hapura në mënyrë që të nxiten qytetarët për të votuar.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Hajdari deklaroi se Shqipërisë i duhet ndryshimi i sistemit dhe se shqiptarët nuk kanë nevojë për një qeveri teknike.
“Nuk ka ngelur shumë kohë, 15 marsi është shumë afër. Do jetë datë e vështirë për tu kapur nëse do parashtrohen të gjitha temat. më e rëndësishme ngelet ndryshimi i sistemit zgjedhor. Afatet që janë dhënë në tryezë janë afate që do diskutohen ato tema. Në komisionin e reformës zgjedhore kemi pasur 2-3 propozime konkrete që do diskutohen dhe në këshillin politik. Roli im për të çuar këtë axhendë përpara. Unë do luftoj deri në fund që ky sistem të ndryshojë dhe të ketë një shtytje për qyt shqiptarë që të shkojnë të votojnë.
Nuk besoj se shqiptarët janë në nevojë të një qeveri teknike apo të një qeverie të përbashkët. Ne i kishim këto kushte në 2017 dhe më vonë PD nuk i pranoi ato zgjedhje. Sistemi aktual është i diktuar nga kryetarët e partive. Unë mendoj nëse do ketë një çlirim pozitiv të energjive, mendoj që Shqipërisë i duhet ndryshimi i sistemit, hapja e listave. Mos prisni që ambasada, BE apo kushdo të vijë dhe të thotë ndryshojeni sistemin. Duhet ta ndryshojmë ne”, deklaroi Hajdari.

Sa i përket aludimeve për një marrëveshje mes partive të mëdha për të mos ndryshuar sistemin, ajo theksoi se logjika të çon që ka një marrëveshje.
“Opozita ndodhet në një pozicion të vështirë dhe të sikletshëm për shkak të një viti me aventura. Logjika të çon që po ka një marrëveshje. Do ishte në interesin e opozitës jashtëparlamentare ndryshimi i sistemit. Hapja e listave besoj se do forconte pozitën e disa partive jashtë sistemit. Opozita mbahet nga individët por nëse krijon disa individë të fortë mund të krijojë qeverinë e nesërme.
Nuk më shqetësojnë zgjedhjet e parakohshme. Në kushtet që jemi duhet një lloj ndryshimi por duhet marrë koha e duhur. Hapi më i rëndësishëm është që të përmbyllim reformën zgjedhore. Nuk mund të ketë zgjedhje pa reformën zgjedhore”, u shpreh ajo.

Sa i përket votës së emigrantëve, Hajdari deklaroi se është një propozim që i ka munguar Shqipërisë dhe i përqafuar nga gjithë vendet e rajonit.

“Është çështje administrative dhe duhet gjetur një taktikë si mund ta realizojmë këtë sa më shpejt. Mendoj se do ndryshonte shumë klimën politike në vend. Në mënyrë elektronike ose pranë konsullatave, thjesht ne duhet të biem dakord se sa zgjat ky proces sa mund të realizohet”, u shpreh deputetja e opozitës së re parlamentare.

Ajo theksoi se ndryshimet kushtetuese do ndodhin nëse ka ndryshim të sistemit. “Ajo që është e rëndësishme është se ne nuk po kufizojmë reformën zgjedhore. Edhe rekomandimet e OSBE-ODIHR, ka nga ato që mund të duan ndryshime në Kushtetutë. Nuk mund të kufizohemi tek kodi zgjedhor”, tha Hajdari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb