TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi paralajmëroi fakte të reja për aferën e inceneratorëve. Në një deklaratë për mediat një ditë pasi nxori emrat e 24 kompanive fiktive që kanë përfituar para nga buxheti i shtetit me aferën e inceneratorëve, Kryemadhi tha se bëhet fjalë për një krim financiar pasi janë grabitur paratë e buxhetit të shtetit.

“Siç janë këto fatura që janë për nja 4-5 mln lekë të reja, apo edhe më shumë, ka fatura pafund të Klodian Zotos, të Integrated, të Klodian Zotos që janë faturuar te këto 24 kompani fiktive që kanë bërë evazion fiskal që në fakt është krim financiar sepse janë grabitur paratë e buxhetit të shtetit. Janë grabitur para që kanë qenë mbështetje buxhetore për inceneratorët. Këtu do të jemi, do jemi përsëri prezent me fakte të reja, dokumente të reja”, tha kryetarja e LSI-së.

Ajo mohoi që SPAK të ketë thirrur dy të moshuarit Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi për të dëshmuar, por tha se SPAK duhet të thërrasë urgjent dhe ta kthejë nga Holanda kryeministrin Edi Rama.

“Gazetarët të mos hedhin shashka sikur janë thirrur në SPAK pensionistët, se nuk janë thirrur sepse nuk e kemi dorëzuar ende padinë për këtë çështje. Bëhet për të shfokusuar vëmendjen. Po, SPAK duhet të thërrasë urgjent dhe ta kthejë nga Holanda kartë postale Edi Ramën dhe ta pyesë me ç’të drejtë ke vjedhur firmat e dy pensionistëve se nuk janë vetëm 2 pensionistë, do të mësoni akoma më shumë. Do të dalin që shumë firma fiktive të krijuara, pronarët e tyre nuk janë në dijeni të firmave të tyre që kanë krijuar. Iu është marrë karta e identitetit, iu është vjedhur karta e identitetit dhe janë kryer veprime të tjera. Megjithatë kjo është në dorë të SPAK-ut”, tha Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb