Në komisionin parlamentar për Edukimin dhe Median nisi të martën diskutimi i projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”. Por ky projektligji për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit vijon të shkaktojë polemika dhe përplasje mes deputetes së PD, Ina Zhupa dhe ministres së Kulturës Elva Margariti.

Pas debatit në Komision, Zhupa ka hedhur akuza edhe sot nga foltorja e Kuvendit.

Ajo i është drejtuar ministres Margariti duke i thënë se Butrinti do jepet me koncesion duke shkelur ligjin…

“I jepet për përfitim ekonomik një organizate dhe pse quhet jo fitimprurëse, e drejta e informimit të çdo qytetari është të dije si ka mundësi që qeveria atë që prodhon më shumë para e jep me koncesion dhe nuk provon këtë model të ri me një monument e lënë në harresë?”, tha Zhupa.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka ndërhyrë disa herë duke i kujtuar Zhupës se duhet t’i përmbahet rendit të ditës, përndryshe do të detyrohet t’i mbyllë mikrofonin.

“Po flas specifikisht për të drejtën e informimit. Do t’i drejtohemi dhe komisionerit për informim për të marrë parasysh që nuk informohemi… E dini ju që në Butrint do ndërtohen bare, kinema, teatro…. kam arritur ta siguroj këtë e dokumente”, tha Zhupa ndër të tjera.

Ndërkohë Ministrja Margariti i është përgjigjur me ironi duke i thënë se ka harruar të thotë se do të ndërtohet edhe një kullë.

“Do shtohet patjetër dhe një kullë, si e harrove kullën?! Të paktën ndërro pyetje se ke tre ditë me të njëjtat dhe u jemi përgjigjur. Është një fondacion që krijohet pikërisht se Butrinti ka kapacitet.  (Ndërhyn Edmond Spaho nga vendi). Shyqyr që shkove tani në Butrint ta vizitojë, e the dhe vetë, po njësoj nuk kuptove as si menaxhohet aktualisht dhe as se çfarë janë të mirat që vijnë nga fondacioni. Do sjellë më shumë shërbime”, tha ministrja.

“Ndjesë po është pasioni i Butrintit , ministren e ftoj të shikoj Instagram-in tim se kur kam qenë në Butrint. Të paktën pranoni që po e shkatërroni dhe e nisët me një marrëveshje sekrete, por mos mendoni se do ta kaloni kaq kollaj”, përfundoi Zhupa.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb