Avokati Genc Gjokutaj, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar zhvillimet politike të fundvitit, duke u ndalur te puna e SPAK dhe hetimet e mëdha që, sipas tij, po prekin qeverinë, përfshirë skandalet e përfolura që lidhen me Belinda Ballukun dhe AKSHI-n.
Gjokutaj kujtoi deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili dy vite më parë ka folur për dekonspirim të provave të SPAK, duke theksuar se jo çdo informacion vjen domosdoshmërisht nga kjo strukturë, por edhe nga burime të tjera.
Sipas tij, kur bëhet fjalë për çështje sensitive si cenimi i sigurisë së SHBA-ve, korrupsioni apo trafiku i drogës, zhvillimet mund të marrin përmasa ndërkombëtare, duke bërë paralelizma me rastin e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski.
“Edhe atje u bë një gjyq publik, pasi u akuzua për vjedhje votash dhe korrupsion. Këto janë pika shumë sensitive, ku fuqitë e mëdha reagojnë,” u shpreh Gjokutaj.
Ai deklaroi se SPAK ka ndryshuar qasje, duke “ndërruar trajnerin dhe skemën e lojës”, ndërsa më herët, sipas tij, fokusohej kryesisht te çështje të vogla dhe zyrtarë të niveleve të ulëta.
