Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me fermerët në Dimal, ku prezantoi programin elektoral të opozitës me fokus të veçantë sektorin e bujqësisë.

Në prani të fermerëve nga qarku i Beratit, si dhe përfaqësues të PD-së dhe koalicionit opozitar, Berisha u zotua se një qeveri e drejtuar nga ai do të sjellë një ndryshim rrënjësor në mbështetjen ndaj bujqësisë.

Duke e quajtur diskriminim të pafalshëm trajtimin që, sipas tij, qeveria aktuale i ka bërë fermerëve shqiptarë, Berisha premtoi rritjen e fondeve për subvencione nga 32 milionë euro aktualisht në 230 milionë euro. “Ky do të jetë zotimi solemn i yni për ju,” deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Berisha solli si shembull vendet e rajonit, ku fermerët përfitojnë disa herë më shumë mbështetje se ata në Shqipëri. “Fermerët në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi marrin pesë deri në tetë herë më shumë subvencione se fermerët tanë. Ndërsa këtu, nga 380 mijë fermerë që japin 19 përqind të PBB-së dhe punësojnë rreth 500 mijë shqiptarë, shteti ka lënë vetëm 32 milionë euro,” tha ai.

Berisha theksoi se programi i opozitës ka si synim kthimin e parave te qytetarët dhe se buxheti i ri do të përfshijë subvencione për çdo fidan, kokë bagëtie apo njësi prodhimi bujqësor.

Berisha përmbylli fjalën duke i bërë thirrje fermerëve që të bashkohen në këtë nismë për ndryshim, duke e konsideruar atë një hap të domosdoshëm për të rikthyer dinjitetin dhe përkrahjen që sipas tij, bujqësia shqiptare meriton.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb