Lisandër Hoxha ka bërë me dije se është dorëzuar në Partinë Demokratike kërkesa që në Rendin e Ditës së Këshillit Kombëtar që mblidhet ditën e nesërme, të përfshihet edhe një propozim për një Rregullore të re sa i përket integritetit të figurave të larta në PD.
Sipas tij propozimi është firmosur nga 16 anëtarë të Këshillit Kombëtar, ndërsa ka pasur edhe anëtarë të tjerë që nuk mund të firmosnin për arsye se ishin jashtë vendit.
Hoxha në një postim në rrjetet sociale shprehet se partia duhet të pastrohet nga “sorosistët” dhe ata që marrin tendera nga qeveria.
“Sapo dorëzova në PD kërkesën për rend dite për Këshillin Kombëtar mbi një Rregullore të re që lidhet me integritetin e figura të larta në PD. Propozimet e mija të mbështetur edhe nga 16 kolegë të Këshillit Kombëtar konsistojnë në një qasje të re sa i takon marrëdhënies politike me ideologjinë. Personat që janë të arsimuar me bursa të Fondacionit Ekstremist të Majtë Open Society Fondation, persona që kanë qenë ekspertë të këtij fondacioni, që kanë përfituar fonde nga kjo organizatë apo që janë të lidhur në mënyrë të tërthortë apo direkte më PPP-të dhe tenderat e qeverisë më të korruptuar të Europës, janë në papajtueshmëri me mandatin si zyrtarë të lartë të PD. Kjo është një marrëdhënie besimi me elektoratin.
Do nisim të pastrojmë shtëpinë tonë, PD dhe Shqipërinë nga kjo ideologji e majtë që ka sjellë shkatërrim kudo në botë”, tha ai.
