Përfaqësues të Lëvizjes Shqipëria Bëhet kanë ndërmarrë sot një aksion përpara Kryeministrisë, ku kanë kërkuar që qytetarët të rreshtohen në reagimin kundër qeverisë.
“Ne do të përballemi e kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të bashkuara”, shkruhej në pankartën që ata mbanin në duart, duke cituar një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Njëkohësisht është bërë me dije edhe data e protestës, duke thirrur tubim ditën e nesërme, 17 janar në orën 18:00.
“Shqiptarët të rreshtohen krah drejtësisë. 17 janar të gjithë në shesh kundër regjimit të hajdutëve”, ishte thirrja e tyre.
Ndërkohë, kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka kërkuar që qytetarët t’i bashkohen protestës, për të reaguar kundër “regjisorit të këtij sistemi korruptiv”.
“Njerëzit duhet të pyesin veten a duhet të protestojnë dhe të bashkohen. Ata që përballen me tatimet dhe padrejtësinë e gjobaxhinjve duhet të pyesin veten a duhet të protestojnë. Të gjithë çiftet e reja që nuk blejnë dot një apartament, duhet të pyesin vetën a duhet të protestojnë. Unë i ftoj të gjithë të protestojnë përballë një njeriu, përballë regjisorit të këtij sistemi korruptiv”, u shpreh Adriatik Lapaj.
