Kandidati fitues i Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës, Lavdrim Krashi, i cili u kthye nga Londra për t’u përfshirë në zgjedhjet e 25 prillit, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për fushatën elektorale, por edhe mënyrën si do ta përfaqësojë ai popullin dibran katër vitet e ardhshme në Parlament.

Sa i përket fushatës elektorale, Krashi tha se ishte fantastike dhe, me takimet e zhvilluara derë më derë, ka kaluar një eksperiencë që do ta mbajë mend gjithë jetën. Sipas tij, dibranët kërkonin tri gjëra kryesore, rrugë, ujë dhe drita, ndërsa theksoi se me Rrugën e Arbrit Dibra do të njohë një zhvillim të jashtëzakonshëm.

Sa i përket uljes së tij në Parlament, kandidati fitues u shpreh se që ditën e parë si deputet do të kërkojë të drejtën e emigrantëve për të votuar, si dhe do të nisë me projekte për Qarkun e Dibrës.

“Do ta filloj punën që ditën e parë. Përveç komunitetit atje, unë kam një detyrim edhe për diasporën, sepse kam qenë edhe vetë emigrant. Do të kërkoj që ditën e parë, sipas procedurave, të drejtat e qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Këtu e kam fjalën për të drejtën e votës, që ata të votojnë në vendin e tyre”, tha mes të tjerash ai.

Intervista:
Si ju duk fushata elektorale në Dibër një laburisti nga Londra?
Lavdrim Krashi: Fushata elektorale në Dibër ishte fantastike. Për shkak edhe të kushteve të pandemisë, fushata ishte e ngjashme me atë në Londër. Unë jam mahnitur, kam kaluar një eksperiencë që do ta mbaj mend gjithë jetën time. Kam zhvilluar shumë takime, jam i fasinuar me njerëzit e thjeshtë. Ata kërkonin rrugë, ujë dhe drita. Njerëzit janë shumë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. Unë përdora fuqimisht metodën britanike, që i zgjedhuri shkon te banorët. Unë kam trokitur derë më derë. Unë nuk njihja askënd dhe kjo nuk më jepte luksin që t’i zgjidhja. Askush nuk më tha asnjë fjalë të keqe, dhe as më plasën derën në surrat. Të gjithë njerëzit i dëgjova.

Anëtari i Parlamentit duhet të jetë “i armatosur” me të gjithë problematikën që ka komuniteti dhe të bëjë ligje në shërbim të komunitetit. Këto ai i bën në komunikim të vazhdueshëm me komunitetin dhe me pushtetin. Qarku i Dibrës i ka pasur investimet me kursim përgjatë 30 viteve të fundit. Mendoj se Rruga e Arbrit do t’i hapë mundësinë këtij qarku të çlirojë energjitë e fjetura. Unë e shoh Dibrën si një Korçë të dytë. Kjo do na ndihmojë të zhvillojmë turizmin malor, që për hir të së vërtetës ne e kemi. Sa i përket statusit të minatorit, qeveria ka bërë shumë në vitet e fundit. Fjala “status” nuk do të zgjidhë të gjitha problemet e minatorit, por i ndihmon ata.

Si e imagjinoni veten në 4 vitet e ardhshme në Parlament?
Do të jem vetvetja. Gjatë gjithë fushatës elektorale unë nuk kam premtuar gjëra, që e dija se nuk mund t’i bëja. Jam i qetë, i qartë me veten time. Në këtë libër që kam me vete kam mbajtur të gjitha shënimet gjatë 29 ditëve të fushatës, edhe pse pjesën më të madhe i kam në memorie. Një nga premtimet e mia ishte që do jem në Qarkun e Dibrës të paktën një herë në javë. Kjo është një praktikë britanike dhe ne kemi rënë dakord, të gjashtë kandidatët e PS, që do ta zbatojmë. Do ta vazhdoj derisa të më mbaroj mandati. Atje ka parlamentarë me eksperiencë dhe unë do iu drejtohem për të mësuar prej tyre, por edhe unë do të jap eksperiencën time. Do ta filloj punën që ditën e parë. Përveç komunitetit atje, unë kam një detyrim edhe për diasporën, sepse kam qenë edhe vetë emigrant. Do të kërkoj që ditën e parë, sipas procedurave, të drejtat e qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Këtu e kam fjalën për të drejtën e votës, që ata të votojnë në vendin e tyre. Jam krejt i bindur që do të gjej bashkëpunim me të gjithë kolegët e mi brenda PS, por edhe me kolegët e PD dhe LSI. Ne mendojmë se PD është aset kombëtar, dhe kandidatët e saj janë vëllezër e motra si ne. Unë pashë që kandidatët e PS ishin më të hapur, ndërkohë që kandidatët e tjerë nuk ishin aq të hapur karshi nesh. Unë i kam takuar kandidatët e PD, dhe një të LSI, dhe kam respekt për ta.

Akuzat për shit-blerje votash … patë gjë në Dibër?
Jo, nuk kam parë gjë në Dibër. Ajo që kam parë unë në Dibër, sidomos 3-4 ditë para zgjedhjeve, ishte aktivizimi i disa strukturave për mbrojtjen e votës, që në fakt janë struktura paralele dhe krejtësisht të paligjshme. Kjo krijoi një situatë shumë të pakëndshme në Dibër, por edhe më tej. U ndalu një makinë, ku u gjet shoferi me 15 mijë lekë të vjetra. Unë nuk mbroj askënd, edhe njeri i imi po të jetë, të hetohet, por mua më shqetëson kjo me strukturat paralele.

Imazhi që keni ju për Dibrën, çfarë duhet bërë?
Ka potenciale për turizëm malor, për agroturizëm, për ujërat termale, ka potencial të jashtëzakonshëm të bujqësisë, etj. Por të gjitha këto vijnë përmes infrastrukturës. Deputeti është atje për të ngritur zërin, sipas të gjitha rregullave, për qytetarin e tij. Unë do të filloj me projekte, që ditën e parë. Kam bërë një analizë. Do të filloj me projektin e parë, ku për mua s’ka projekt të vogël apo të madh, mund të filloj me një projekt 10 euro, apo 100 mijë euro. Unë kam qenë i ashpër me disa nga menaxherët e projekteve, duke iu thënë se ‘ku e kishit mendjen, ku e kishit kokën’, që i kanë bërë gabim deri më tani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb