Zyrtarët amerikanë kanë zbuluar detaje të reja mbi strategjinë e Shteteve të Bashkuara për garantimin e sigurisë detare në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se nisma nuk do të përfshijë domosdoshmërisht shoqërim të drejtpërdrejtë nga marina për anijet tregtare.

Sipas raportimit të Axios, anijet luftarake amerikane do të qëndrojnë të dislokuara në rajon dhe do të jenë të gatshme të ndërhyjnë vetëm në rast se anijet tregtare sulmohen, ndërsa fokusi kryesor do të jetë koordinimi dhe parandalimi.

Zyrtarët thanë se SHBA-të do t’u japin udhëzime anijeve për rrugët më të sigurta përmes ngushticës, përfshirë korridoret që konsiderohen të pastra nga mina detare. Kjo qasje sinjalizon një strategji më fleksibël, në një kohë kur tensionet me Iran mbeten të larta.

Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump konfirmoi se SHBA do të nisë një operacion për të ndihmuar anijet e bllokuara në këtë rrugë kyçe detare. Në një postim në platformën Truth Social, ai njoftoi nisjen e “Projektit Liri”, një iniciativë që synon të udhëzojë dhe nxjerrë në mënyrë të sigurt anijet nga zona.

Trump theksoi se kërkesa për ndihmë ka ardhur nga vende të ndryshme që nuk janë të përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme, por që janë prekur nga bllokimi i kalimit detar. Ai e cilësoi operacionin si një përpjekje humanitare për të garantuar furnizime dhe siguri për ekuipazhet.

“Do të bëjmë çdo përpjekje për të larguar në mënyrë të sigurt anijet dhe ekuipazhet e tyre nga këto korridore detare të kufizuara”, deklaroi Trump, duke paralajmëruar se çdo pengesë ndaj operacionit “do të përballet me forcë”.

Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se bisedimet me Iranin janë në zhvillim dhe mund të çojnë në rezultate pozitive, ndërsa nisma e re shihet si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të garantuar lirinë e lundrimit në një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb