Nëse po firmosni një kontratë pune, ka disa elementë kyç që duhet të kontrolloni me kujdes.

Avokati Dhimitër Zguro, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24 thekson rëndësinë e përshkrimit të qartë të detyrave, llojit të punës (në zyrë apo nga shtëpia) dhe pagesave shtesë.

Gjithashtu, duhet të përcaktohen qartë rregullat disiplinore dhe procedurat e largimit nga puna. Kodi i Punës i garanton punëmarrësit të drejta, të cilat shpesh nuk përfshihen në kontrata.

Avokati Dhimitër Zguro: Kontrata është shumë e rëndësishme, që të kuptohet nëse puna është në ambientet e punëdhënësit apo tele-working. Nëse punojnë nga shtëpia, nuk gëzojnë shumë të drejta për pushimet etj. Paga është shumë e rëndësishme, për të parë se cilat janë shtesat dhe nëse shtesat janë mbi baza logjike. Detyrimet e punëmarrësit duhet të jenë të përcaktuara qartë. Përshkrimi i punës ka rëndësi, zakonisht jepet në një “aneks”, ku punëmarrësi mund të shohë se cilat janë detyrat e tyre të qarta të punës. Duhet të ketë një procedurë të qartë për masat disiplinore.

Në fund, duhen parë dhe elementet financiarë. Nëse ka shpërblime, nëse i parashikon kontrata e punës, nëse kontrata i përcakton oraret shtesë, nëse punon në fundjavë ose nëse ka pagesë shtesë kur punon në ditë që janë zyrtarisht pushim. Është e vërtetë që elementë të tillë mungojnë shpesh në Shqipëri. Kodi i Punës i përcakton saktë kushtet për punëdhënësin dhe për punëmarrësin. Punëdhënësi, kur mendon të largojë dikë nga puna, duhet ta ftojë punonjësin 72 orë më herët dhe duhet t’ja thotë edhe arsyet se përse punonjësi duhet të ikë nga puna. Largimi mund të bëhet për disa arsye si rikonstruktimi i ndërmarrjes ose për shkelje të rënda të punëdhënësit. Nëse largimi gjendet i padrejtë nga gjykata, punëdhënësi përfiton dëmshpërblim.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb