Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takimin me fermerët për Skemën Kombëtare 2026. Gjatë fjalës së tij ai tha se për sektorin e bujqësisë do të ketë më shumë fondet nga BE. Po ashtu ai tha se buxheti i shtetit për këtë sektor mund të shkojë deri në 1 miliard euro, nëse do të jetë nevoja.

Mes të tjerash ai dha porosi për kryetarët e bashkive, që sipas tij duhet të jetë më aktivë në këtë proces dhe të bashkëpunojnë me fermerët.

“Dua të fokusohem në një aspekt tjetër që ka të bëjë me mundësitë e pashfrytëzuara, pasi ne jemi mësuar që t’i referohemi buxhetit të shtetit. Por ai është njëri nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë. Buxheti i shtetit është më i thjeshti, pasi përcaktohet nga qeveria, miratohet nga Parlamenti dhe vjen te bujku, apo fermerët në një kanal që është aplikimi përkatës. Komponentët e tjerë do të bëhen më të pranishëm dhe duhet që të gjithë të përpiqen që të mësojnë dhe të aftësohen për t’i shfrytëzuar. Sot në vendin tonë çështja e financimit të projekteve që secili ka dhe do të bëjë, nuk është problem pasi paratë janë. Por problemi është mungesa e informacionit dhe përgatitjes për t’i thithur ato para. Fonde nga BE do të kemi më shumë, por duhet të jemi të aftë që t’i thithim. Duhen disa gjëra jo shumë të ngatërruara, por disa gjëra nuk duhet të shmangen. Është një dosje që duhet të ketë brenda një projekt dhe që duhet financuar. Kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 mln euro, që mund të shkojnë dhe 1 mld, nëse konsumohen.

Të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi me garanci nga shteti. Normat e interesit janë shumë më të ulëta. Ka një mangësi që është pushteti vendor. Kryetarët e bashkive duhet të jenë më aktivë në bashkëpunim me bujqërit që të adresojnë këto financime. Nuk duhet të ketë asnjë problem, nëse duhet një komponent agro-përpunimi në një zonë bujqësore. Në rast se duhet një stallë tjetër, nëse duhet një mekanik tjetër, s’duhet të ketë problem. Bashkitë dhe ju mund të krijoni struktura të përbashkëta për të marrë këto financime.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb