Kreu i Nismës “Thurje”, Endrit Shabani, në një intervistë për News24 ka folur për zhvillimet më të fundit politike në vend, integrimin europian, sfidat e opozitës dhe rolin e të rinjve në Parlamentin e ri. Shabani shprehu skepticizëm për mënyrën se si funksionon aktualisht politika në Shqipëri, por theksoi rëndësinë e angazhimit për ndryshim, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe për më shumë barazi sociale.

“Zëri i të rinjve në Parlament do jetë minimal,” tha Shabani, duke shtuar se megjithatë është i hapur për bashkëpunim me këdo që ndan kauzat e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Ai përmendi disa emra me të cilët mund të ketë bashkëpunim, si Erald Kapri, Agron Shehaj apo Redi Muçi.

“Nëse ka kauza ku jemi në të njëjtin krah, pse jo të bashkëpunojmë,” u shpreh ai, duke vënë theksin te nevoja që të rinjtë të adresojnë tema thelbësore si pabarazia në rritje dhe korrupsioni.

Shabani gjithashtu kritikoi praktikat e mëparshme të politikës së re që, sipas tij, në disa raste u shndërrua në kopje të politikës së vjetër. “Kaluam një eksperiencë jo të hijshme në bashkëpunimin politik. Nuk do të jetë e lehtë, por shpresoj që të rinjtë të mos bëjnë të njëjtën gjë si politika e vjetër,” theksoi ai.

I pyetur për integrimin europian, Shabani tha se ai e sheh si një proces që nuk do të ndodhë për meritat e politikës shqiptare, por për vendime të marra jashtë kufijve tanë.

“Unë besoj se Shqipëria do bëhet pjesë e BE, por jo sepse jemi gati, por sepse është marrë një vendim përtej nesh që ky rajon të integrohet brenda vitit 2030. Nëse nuk bëjmë ndonjë gabim të madh, do jemi pjesë,” tha ai.

Ndër prioritetet kryesore të cilat, sipas tij, duhen adresuar nga qeveria e re është lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe shfrytëzimit të pasurive publike.

“Aty shpesh është burimi i gjithë problemit,” shtoi Shabani.

Ai theksoi se nuk i interesojnë emrat në qeveri, por puna konkrete që ata do bëjnë: “Rëndësi ka nëse do të luftohet korrupsioni dhe nëse do të ketë mundësi të barabarta për të gjithë. Këto janë të rëndësishmet. Shpesh vëmendja është vetëm te emrat, jo te përmbajtja.”

Shabani kritikoi edhe opozitën për qasjen e saj të deritanishme, duke e akuzuar për përqendrim të tepruar tek e shkuara.

“Opozita po tenton të luftojë beteja të shkuara. Janë ende tek zgjedhjet e 11 majit. 11 maji mbaroi, doli një rezultat. Forcat e reja që hyjnë në Parlament e kanë pranuar rezultatin. Tani është koha të flasin për çfarë do bëjnë, jo për çfarë ndodhi,” deklaroi ai.

Ai u shpreh se përballë një partie në pushtet nuk mund të fitohet me forcë apo akuza boshe, por vetëm me vizion, alternativë dhe legjitimitet. Shabani shtoi se shumë qytetarë ende nuk besojnë në politikë, ndaj mbetet detyrë e brezit të ri të rindërtojë besimin e humbur.

Në përmbyllje, kreu i Nismës “Thurje” i bëri thirrje publikut dhe politikës që të zhvendosin fokusin nga individët tek planet konkrete qeverisëse dhe përdorimi i taksave publike.

“Kemi humbur kohë me emra dhe zgjedhje. Askush nuk po flet se çfarë do bëjë qeveria me paratë e qytetarëve. Interesi duhet të jetë tek plani, tek veprat, jo tek fasada,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb