Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij iranian Masoud Pezeshkian, gjatë së cilës ai shprehu “shqetësim të thellë” për programin bërthamor të Iranit dhe përsëriti se Teherani “nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore”.

Në një mesazh në X, Macron tha se Franca dhe partnerët e saj evropianë do të “përshpejtojnë negociatat” mbi çështjen bërthamore me Teheranin, me qëllim “daljen nga lufta dhe shmangien e rreziqeve më serioze”. Biseda u zhvillua në ditën e nëntë të konfliktit midis Iranit dhe Izraelit.

“Jam i bindur se ka një rrugëdalje nga lufta. Për ta arritur këtë, ne do të përshpejtojmë negociatat e nisura me Iranin”, theksoi presidenti i Elizesë.

Macron bëri thirrje gjithashtu për lirimin e Cécile Kohler dhe Jacques Paris, dy shtetasve francezë të ndaluar në Iran që nga maji i vitit 2022 me akuza për spiunazh.

“E përsërita kërkesën time: Cécile Kohler dhe Jacques Paris duhet të lirohen. Paraburgimi i tyre çnjerëzor është i padrejtë. Pres kthimin e tyre në Francë”, shkroi presidenti.

Ndërkohë, Izraeli tha të shtunën se kishte goditur një central bërthamor në Isfahan dhe kishte vrarë tre komandantë të Gardës Revolucionare Iraniane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb