Kryetari dhe deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar se nuk ka në plan të bashkëpunojë apo të hyjë në koalicion me forca të tjera opozitare që ndodhen aktualisht në Kuvend.

I ftuar në studion e News24, Shehaj theksoi se për të dhe për partinë që drejton, cilësia e qëndrimeve është më e rëndësishme se koha apo hapësira që u jepet në Parlament.

“Nuk kemi menduar të bashkëpunojmë apo të hyjmë në koalicion me parti të tjera opozitare në Parlament. Nuk është e nevojshme. E rëndësishme është si e shfrytëzon kohën që ke,” tha Shehaj.

Ai shtoi se nuk ka rëndësi sasia e minutave në një debat parlamentar, nëse nuk shoqërohet me përmbajtje dhe sinqeritet: “Sigurisht do të donim më shumë hapësira, por nuk është problem sasie, por cilësie. Mund të kesh kohë pafund, por mund të flasësh budallallëqe. Nëse ke gjënë e duhur për të thënë, nëse je i sinqertë, mjafton edhe telefoni ndonjëherë.”

Shehaj theksoi se Partia Mundësia do të vijojë të veprojë në mënyrë të pavarur, duke u fokusuar te debati parlamentar dhe qëndrimet publike, pa u bërë pjesë e ndarjeve apo aleancave të brendshme opozitare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb