Kur lufta në Ukrainë i ka kaluar tashmë 100 ditët e para, presidenti rus Vladimir Putin, ka marrë vendimin për të shkarkuar pesë gjeneralë dhe një kolonel.

Një vendim i tillë vjen pasi trupat ruse janë duke u përballur me humbje masive, sipas raportimeve të fundit, dhjetëra mijëra trupa ruse janë vrarë dhe Moska ka dështuar në përpjekjen e saj për të pushtuar Kievin.

DailyMail bën me dije se këtë javë, Putin ka shkarkuar pesë nga drejtuesit e tij më të lartë pasi shkarkoi gjeneralëmajortë Alexander Laas, Andrey Lipilin, Alexander Udovenko dhe Yuri Instrankin si dhe gjeneralmajorin Vasily Kukushkin.

Kremlini ka deklaruar se pavarësisht gjithçkaje, do të vazhdojë me operacionet e tij ushtarake në Ukrainë derisa të përmbushen qëllimet e tij.

I pyetur se si Kremlini e sheh përparimin në Ukrainë 100 ditë pas luftës të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se trupat ruse ia kanë dalë mbanë në detyrën e tyre kryesore për të mbrojtur civilët në zonat në lindje të Ukrainës të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Peskov shtoi se forcat ruse kanë ‘çliruar’ shumë zona në Ukrainë nga njësitë ushtarake dhe nacionaliste ukrainase ‘pro-naziste’, duke shtuar se kjo do të vazhdojë derisa të arrihen të gjitha qëllimet e operacionit special ushtarak’.

Duke folur gjatë një konference me gazetarët, Peskov kur u pyet nëse autoritetet ruse po planifikojnë të mbajnë referendume në ato zona për t’u bashkuar me Rusinë, tha se kjo do të varet nga mënyra se si do të evoluojë situata.

Peskov dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë vazhdimisht se do të jetë në dorën e banorëve të atyre rajoneve të përcaktojnë statusin e tyre.

Kjo nuk është hera e parë që Putin shkarkon gjeneralët e tij të lartë. Në mars, u raportua se lideri rus ishte shumë i zhgënjyer nga dështimet e shërbimeve të tij të inteligjenvës dhe strategjia e dobët që çoi në disfatat e trupave ruse, që në ditët e para të luftës.

Në atë kohë, shefi i këshillit ukrainas të sigurimit Oleksiy Danilov tha se ‘rreth tetë’ komandantë rusë ishin shkarkuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa Moska po përpiqej të ndryshonte strategjinë pasi tentativa e saj ‘tronditje dhe frikë’ dështoi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb