Në dëshminë e Muharrem Himës, kunati i policit të vrarë, publikuar gjatë emisionit “Në Shënjestër”, thuhet se pasi Alketi vrau Shahin Xheçukën, babai i tij me anë të disa miqve të përbashkët, çoi fjalë sipas zakonit në familjen Xheçuka. Edhe pse nga familja Hajdari u bënë përpjekje për të biseduar me familjen Xheçuka, kjo e fundit nuk pranoi falje. Madje ata nuk pranuan as pajtues që të ndërmjetësonin për të ulur gjakrat. Por nga ana e tyre morën besë vetëm 24 orë për të marrë pjesë në varrim dhe më pas do të vepronin sipas Kanunit. “Pas këtij momenti Imeri dhe burrat e tjerë të familjes Hajdari u ngujuan në shtëpi, pasi fisi Xheçuka ishte shprehur se nuk i kishte falur”, thuhet në dëshminë dhënë policisë.
Kjo detyroi Imerin të largohej nga Mamurrasi dke të vendosej me banim në Tiranë. Të njëjtën deklaratë përpara grupit hetues dha dhe një nga kushërinjtë e Imer Hajdarit.
I cili theksoi faktin që fisi Xheçuka të gjithë inatin e kishte me Imer Hajdarin, duke e cilësuar atë si fajtor për veprimet e nipit të tij, që qëlloi mbi njeriun e tyre. Ngujim që çoi edhe në ndryshimin e rrjedhës së jetës së famljes Hajdari. E cila e gjendur në një situatë të tillë izolimi dhe vështirësie ekonomike, detyroi kryefamiljarin e saj, në këtë rast Imer Hajdarin, që të kërkonte transferimin në një burg tjetër. Gjë që u mundësua nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në Burgun ‘313’ në Tiranë. Fisi Xheçuka çoi fjalë se kush ta ndjejë veten fajtor të mbyllet në shtëpi. Po kështu ata thanë se do të hakmerren tek fisi i Alketit, duke u shprehur se fajtor për vrasjen e Shahin Xheçukës, është Imeri, pasi ai e veshi Alketin polic dhe se mund të hakmerreshin ndaj tij për këtë vrasje të ndodhur. Ishin këto fjalë që e shtynë Imerin të transferohej me punë’.
Sipas dëshmive të familjarëve të tij, Imer Hajdari i druhej më shumë hakmarrjes që mund të vinte nga ana e vëllezërve të Shahin Xheçukës.
Viktimës së nipit të tij Alket Hajdari. Por çfarë thanë në dëshminë e tyre, të afërmit e Shahin Xheçukës. A ishin ata të sinqertë në deklarimet e tyre. Dhe a mund të ishin ata vrasësit vetëm për faktin që kishin çuar fjalë për ngujimin e familjes Hajdari?
“Shahin Xheçuka është vëllai im.
Më 23 Prill 2011, ai u vra nga shtetasi Alket Hajdari, punonjës policie në burgje. Unë kam pesë djem, të cilët janë emigrantë në Greqi.Ajo që dua të them është se unë nuk kam asnjë dijeni për vrasjen e shtetasit Imer Hajdari.”mësohet të ketë deklaruar në hetuesi, Hysen Xheçuka.
Por pavarësisht hetimeve të gjata të shtrira në kohë, grupi hetues që u mor me vrasjen e efektivit të burgjeve, Imer Hajdari, duket se dështoi në kërkimet e tij, për të gjetur autorin apo organizatorët e këtij krimi.
Dyshimet mbi këtë vrasje që vazhdonin të binin te pjesëtarë të familjes Xheçuka.
Por që asnjë provë nuk çonte në emrin e ndonjërit prej tyre.
Gjë që detyroi Prokurorinë të kthente edhe njëherë dosjen në polici.
Hetime të cilat u pezulluan, për t’u hapur edhe njëherë 18 muaj pas ekzekutimit të Imer Hajdarit.
Ku u kërkuan edhe njëherë të gjitha lëvizjet që kishin bërë personat e dyshuar apo të interesuar për ekzekutimin e Imer Hajdarit.
Si dhe u bë krehja e tabulateve të tyre telefonike me shpresën se aty mund të gjenin indicie që mund të implikonin këta persona të dyshuar në këtë vrasje.
Pavarësisht kontradiktave që u konstatuan në lëvizjet personave të dyshuar, pjesëtarë të familjes Xhecuka, prokuroria nuk mundi të identifikojë autorët e vrasjes.
Dosja Hetimore
Në muajin Dhjetor 2013, me urdhër të drejtuesit të Prokurorisë, u vendos rifillimi i hetimit për vrasjen e Imer Hajdarit, ku ndër të tjera u bë dhe verifikimi i të gjithë qelizave të kompanive celulare në itinerarin e rrugës nga banesa e marrë me qira nga viktima Imer Hajdari deri në vendin e ngjarjes, ku u kërkua analizimi i tabulateve të thirrjeve telefonike.
Po kështu u verifikuan në regjistrat e policisë kufitare, hyrje-daljet e vëllezërve Xheçuka.
Si dhe listat e udhëtarëve që disponohen nga Pikat e Kontrollit të Kalimit Kufitar, për secilën nga linjat që kanë udhëtuar këta shtetas në periudhën kohore ku ka ndodhur ngjarja.
Por çfarë rezultoi nga këto kërkime?
A i morën ata parasysh indiciet që pjesëtarë të familjes Hajdari dhanë mbi emrat e mundshëm që mund të ishin përfshirë nga familja Xheçuka, në ekzekutimin e njeriut të tyre.
Ndërkohë që ashtu siç e do zakoni, sipas dëshmive të famuljes Hajdari, menjëherë pas vrasjes së njeriut të tyre, familja Xheçuka kishte çuar fjalë te ta, se nuk kishin lidhje me vrasjen e Imer Hajdarit në Tiranë.
Dosja Hetimore
Familjarë të viktimës Imer Hajdari, deklaruan se tri ditë pas vrasjes së njeriut të tyre, familja Xheçuka u ka dërguar fjalë sipas zakonit në shtëpine e tyre nëpërmjet shtetasve Sh.Th dhe F.S se: ‘Familja Xheçuka nuk ka gisht në vrasjen e Imerit dhe se përgjegjësinë duhet ta kërkonin diku tjetër’.
Por sikurse thamë familja Hajdari kishte marrë informacion, mbi emra të mundshëm të lidhur me familjen Xheçuka që kishin marrë pjesë në vrasjen e Imer Hajdarit.
Informacion të cilin ata e kishin marrë nga brenda burgut.
Nga vetë bisedat që Agim Pepa, dhëndërr në familjen Xheçuka, që në këtë kohë ndodhej në burg për vrasjen e komisarit Gani Malushi, kishte bërë me të burgosur të tjerë.
Ku ai ishte shprehur se vrasjen e Imer Hajdarit e kishin kryer shtetasit B, Xh dhe V. P.
Biseda të cilat në të vërtetë nuk u vërtetuan apo verifikuan kurrë, duke mbetur kësisoj vetëm në trajtën e përfoljes.
Por një nga gjetjet më interesante të grupit hetues pas rifillimit të hetimeve është fakti që pjesëtarë të familjes Xheçuka, midis tyre edhe emra të njohur të lidhur me krimin, kishin dalë nga Shqipëria në fillim të muajit prill dhe ishin kthyer vetëm një ditë pasi Imer Hajdari u vra.
Një alibi kjo që do t’i ndihmonte ata të mos ishin të dyshuar për vrasjen e efektivit të policisë së burgjeve, mëngjesin e datës 10 Prill 2012.
Ku midis këtyre personave që kishin udhëtuar bashkërisht jashtë Shqipërisë ishte edhe Tori Xheçuka.
I konsideruar sot si një vrasës me pagesë dhe i përfshirë në shumë ngjarje kriminale, në kërkim nga Policia e Shtetit.
Por çfarë rezultoi nga kërkimi në sistemin TIMS?
A kishin dalë në të vërtetë këta persona jashtë Shqipërisë?
Dhe nëse po a ishin këto dalje, një mënyrë për të fshehur gjurmët e organizimit të krimit, të vrasjes së Imer Hajdarit.
Dosja Hetimore
Referuar të dhënave të marra nga sistemi TIMS ka rezultuar se shtetasit Tori Xheçuka (Hektor Xheçuka), Luan, Fatmir dhe Flamur Xheçuka, etj janë larguar nga Shqipëria më datë 6 prill 2012 dhe janë kthyer më datë 11 prill 2012 vetëm një ditë pas vrasjes së shtetasit Imer Hajdari.
Duke dyshuar se këta shtetas kanë kryer dalje fiktive ne sistem, u ndërmorrën verifikime të mëtejshme ne Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, me qëllim për të vërtetuar hyrje-daljet në pikat e kalimit kufitar të këtyre shtetasve.
Nga ku rezultoi se Fatmir, Luan dhe Beqir Xhecuka më datë 6 Prill 2012 janë regjistruar në dalje dhe në hyrje më datë 13 Prill 2012.
Ndërsa shtetasi Besnik Xheçuka është regjistruar në dalje në datë 22 Prill 2012, kurse shtetasi Tori Xheçuka është regjistruar në dalje më datë 6 Prill 2012 dhe në hyrje në datë 11 Prill 2012. Ku u është kërkuar informacion kompanive të fluturimit në lidhje me biletat e prenotuara.
Po pavarësisht këtyre dyshimeve, grupi hetues pranoi me duart lart se dështoi në sigurimin e provave të mjaftueshme për të vënë përpara bangës së drejtësisë, autorët e vrasjes së efektivit të burgjeve, Imer Hajdari.
Gjë që vazhdon ta bëjë edhe sot në pothuaj 14 vjetorin e vrasjes së tij.
