Policia e Korçës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj babait të Martin Çeços, i cili kërcënoi publikisht me vetëgjyqësi dhe hakmarrje tre autorët e dyshuar të vrasjes së të birit, ngjarje e ndodhur tre vite më parë.
Sipas njoftimit zyrtar, nën hetim është marrë Nevzat Çeço, 70 vjeç, banues në fshatin Kolanec të bashkisë Maliq. Procedimi penal u referua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq për veprën penale “kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”.
Ngjarja lidhet me reagimin e të moshuarit një ditë më parë, më 15 janar, pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila ndryshoi masën e sigurisë për tre autorët e dyshuar të vrasjes së Martin Çeços, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpiak”. Pas këtij vendimi, 70-vjeçari u shpreh publikisht se do të hakmerrej ndaj tyre duke i djegur me benzinë dhe se më pas do të vetëflijohej, duke deklaruar se nuk mund ta pranonte lirimin e tyre.
Policia bën me dije se kërcënimet janë bërë në një video të publikuar në rrjetet sociale, ku Nevzat Çeço ka kanosur për jetën autorët e dyshuar të vrasjes së djalit të tij, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2022.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
