Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me kreun e Komunës së Preshevës, Armend Aliun, dhe kreun e Alternativës për Ndryshim në Bujanovc, Arbër Pajaziti.

Siç raporton Basha në “facebook”, në takim është diskutuar gjerësisht për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat dhe pritahmëritë e tyre për të nesërmen.

“Kënaqësi te prisja në Tiranë, z. Armend Aliu, zv. Kryetar i Komunës së Preshevës njëherësh dhe i partisë Alternativa për Ndryshim si dhe z. Arbër Pajaziti,kryetar i Alternativës per Ndryshim në Bujanovc.

U ndalëm gjerësisht në gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat dhe pritahmëritë e tyre për të nesërmen. PD mbështet plotësisht kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës, duke i konsideruar si çështje prioritare dhe angazhohet për të dhënë kontribut thelbësor në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre si dhe për zhvillimin ekonomik e social, dhe në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.

Përgëzoj unifikimin e partive shqiptare si hap i domosdoshëm për fuqizimin dhe rritjen e përfaqësimit të tyre dhe që zëri i tyre të forcohet e të jehojë më fort në mbrojtje të të drejtave të bashkëkombasve tanë që jetojnë në Luginën e Preshevës. Pres me kënaqësi të vizitoj së shpejti personalisht Luginën e Preshevës”, shkruan Basha.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb