Okulisti Renis Qamo, i ftuar në studion e emisionit “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka folur për një nga problematikat më të zakonshme të shikimit që prek shumicën e njerëzve pas moshës 40-vjeçare.
Sipas Qamos, dobësimi i shikimit nga afër është një proces natyral dhe fiziologjik, i njohur si presbiopi, që lidhet me humbjen e elasticitetit të kristalinit të syrit dhe dobësimin e muskujve të brendshëm të tij.
“Kjo patologji është diçka fiziologjike e syrit dhe nuk ka shkaqe të jashtme që e krijojnë”, shpjegoi ai.
“Zakonisht kjo gjendje nis pas moshës 40-45 vjeç dhe avancon deri rreth moshës 60-61 vjeç, ku më pas stabilizohet,” shpjegoi Qamo.
Ai theksoi se te personat me miopi, kjo fazë mund të shtyhet disi, duke u shfaqur më vonë, ndërsa tek të tjerët shenjat e para shfaqen thuajse menjëherë pas të dyzetave.
Trajtimi më i zakonshëm, sipas mjekut, mbetet përdorimi i syzeve optike për lexim ose për shikim nga afër. Po ashtu, mund të përdoren edhe lente biokulare. Ndërkohë që ekziston edhe mundësia e korrigjimit me lazer, por kjo metodë nuk është shumë e përhapur për shkak të moshës më të avancuar të pacientëve që preken nga kjo gjendje.
