TIRANË-Deputetja Mesila Doda e ka konsideruar si një hap emancipimi, inaugurimin e Aleancës së Grave Këshilltare të Tiranës, duke e cilësuar si një aleancë përtej axhendës politike dhe madje si një model suksesi.
Nëpërmjet statusit të saj social ‘Facebook’ pasditen e së mërkurës, Doda shprehet: “Lajm i mire!!! Sot isha e pranishme ne ceremoninë e inaugurimit të Aleancës së Grave Këshilltare të Tiranës. Kënaqësi të shohim një produkt real e imediat të punës sonë si parlamentare që arritëm të ndryshojmë kodin zgjedhor. Prania e 50% të grave në Këshillin Bashkiak dhe krijimi i Aleancës se tyre, është indikator se Aleanca e Grave Deputete është një model i suksesshëm i bashkëpunimit përtej axhendave partiake”.
“Së bashku, aleancat në nivel qendror e vendor mund të bëjmë shumë më shumë për të rritur e fuqizuar rolin e gruas. Një Aleance e madhe e grave shqiptare do mund të sillte një lëvizje të vërtete shoqërore për të përmirësuar jetën e tyre dhe të gjithë shqiptarëve. Punë të mbarë, Aleanca e Grave Këshilltare të Tiranës. Së bashku do jemi në projekte të reja”, shprehet Doda.
(ed.me/BalkanWeb)