TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, njihet për kritikat e saj ndaj lidershipit të PDsë dhe këtë pozicion nuk e harroi ditën e djeshme, kur edhe sapo kishte filluar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet lokale.
Humbjen e PD-së në shumicën e bashkive të vendit, Mesila Doda e kritikoi përmes revokimit që u bëri fjalëve të thëna nga ish-deputeti i PD-së, i ndjeri Sokol Olldashi, sipas të cilit: “Të paktën sot biem dakord të gjithë që t’i kishe të drejtë. Të paktën sot mund të rikujtojmë se ti ia kishe thënë. Politika nuk është as matematike, as ekonomi e as llogari meskine numrash… është filozofi dhe inspirim”, – shkruan Mesila Doda në “Facebook”.
Ajo ka bashkangjitur një foto së bashku me Sokol Olldashin në një nga mitingjet e Partisë Demokratike. Që prej vdekjes së tij, Doda ka ashpërsuar kritikat ndaj PD-së dhe kryetarit Lulzim Basha për mënyrën e drejtimit të partisë. Mesila Doda prej kohësh nuk merr pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar të PDsë, ndërsa ka deklaruar se do të flasë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, duke paralajmëruar ashpërsimin e kritikave ndaj PD-së.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)