Sulmuesi i Vllaznisë, Kevin Dodaj, ka shkëlqyer në miqësoren që kombëtarja U-21 e Shqipërisë zhvilloi kundër bashkëmoshatarëve të Hungarisë. I hedhur në fushë në pjesën e dytë të ndeshjes nga ana e trajnerit Bushi, 19-vjeçari u bë menjëherë protagonist, duke shënuar golin e shifrave 0-1 që në minutën e 46-të.

Megjithatë, kjo do të ishte ndeshja e sulmuesit të Vllaznisë. Pasi në minutën e 76-të “gatoi” edhe golin e fitores të shifrave 1-2, gol që u shënua nga Osmani. Një performancë për t’u mbajtur mend nga Dodaj me fanellën e kuqezinjve të vegjël, ku shënoi gol dhe dhuroi asist në suksesin 1- 2 ndaj Hungarisë.

Patjetër, ky nivel i shfaqur nga sulmuesi kënaq edhe te klubi shkodran, i cili mund të përfitojë nga një shitje e mundshme e tij. Te kuqeblutë “fërkojnë duart” që për Dodjan të paraqitet një ofertë shumë e majme. Teksa në javët e fundit është diskutuar për një interesim konkret të AIK në Suedi, e në ditët në vijim mund të merret vesh më shumë për të ardhmen e një prej futbollistëve më të talentuar të Superiores sonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb