Policia e Tiranës ka arrestuar 2 persona dhe për 6 të tjerë ka nisur procedimin penal, pasi dyshohet se dogjën 4 flamuj serb, në protestën e djeshme para Kryeministrisë.
Lajmi është bërë i ditur për BalkanWeb nga gazetarja Dorjana Bezat. Burime zyrtare bënë me dije se në pranga ranë 2 shtetas dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë. Pas hekurave përfunduan shtetasit Astrit Cara dhe Besnik Balani.
NJOFTIMI I POLICISE
Strukturat e Policisë së Shtetit, pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.
Këta shtetas, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.
