Policia e Rrogozhinës ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të një zjarri që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme toke me pemë frutore në fshatin Ballaj.
31-vjeçari dyshohet se, gjatë djegies së mbeturinave në tokën e tij, ka shkaktuar zjarrin që më pas ka dalë jashtë kontrollit.
Njoftimi:
Shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme, në territorin e fshatit Ballaj, kishte rënë zjarr i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, shkuan menjëherë në vendin ku kishte nisur zjarri.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. A., 31 vjeç, banues në Vilëbashtovë, Rrogozhinë.
Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Ballaj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara.
