Po vijon në Gjykatën e Posaçme seanca për “Plumbin e Artë”.
Në dëshminë e tij Erion Alibej ka pranuar Se është financuesi i vrasjes së Dorian Shkozës, ndërsa Anxheli Avdia ka qenë personi tjetër.
“Jam pjesëmarrës në vrasjen e vëllezërve Haxhia, Bujar Cela, Rigers Runaj dhe Emiliano Ramazani. Në Itali kam qenë i dënuar për trafik droge në 2010-2011. Kam bërë edhe burg për këtë, ku kam dalë në 2013. Në këtë grup ka qenë edhe vëllai im i ndjerë Endrit Alibej.
Eno Bedallin e njoh, në mos gaboj ka qenë pjesë e këtij grupi. Kam pasur marrëdhënie të mira me të, familjare”, tha ai.
Alibej ka zbuluar se vrasjen e Dorian Shkozës e ka porositur pasi kërkonte me çdo kusht Talo Çelen.
“Nga hetimi që bëra me Nuredinin mësova se disa persona të tjerë kishin marrë pjesë në vrasjen ndaj familjes sime. Nuredin Dumani më tha, që është person që ka marrë pjesë në ekzekutimin e familjarëve të mi”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë në lidhje me Anxhelo Avdinë, Alibej është shprehur i keqardhur.
“Ishte në kohën dhe vendin e gabuar. Armët për krimin i kam siguruar unë. Kam pasur një kontakt të dikujt që njihej si Hoxhë. Kontaktin ja dhashë dikujt tjetër. Kam folur në EncroChat dhe SkyECC me të. Nuk i di emrin, por më niste edhe foto të armëve. Altin Skëndaj ma dha si kontakt. Hoxhën për armë e kam kontaktuar disa herë. Kam marrë disa herë armë prej tij. Në EncroChat Hoxha mbante pseudonimin “Noku””, u shpreh ai.
