Një histori që duket si e shkruar për një libër frymëzues vjen nga Britania e Madhe, ku një golfist irlandez 67-vjeçar, që humbi njërën dorë në një aksident në punë, arriti të realizojë “asin” e parë të jetës së tij, një sukses që shumë e konsiderojnë thuajse të pamundur.
Patrick Duke goditi perfekt në vrimën e katërt të fushës Overstone Park Golf Club, në Northamptonshire. Duke luajtur me miqtë në një distancë prej 120 jardësh, ai përdori një shkop me 7 hekur (7-iron) dhe e dërgoi topin drejt e në vrimë, duke shënuar “hole-in-one” e tij të parë — me probabilitete të vlerësuara 100,000 me 1. Arritja bëhet edhe më e jashtëzakonshme kur merret parasysh rrugëtimi i tij. Në vitin 2012, një aksident i rëndë në punë i kushtoi dorën dhe ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Deri atëherë, ai ishte shumë aktiv, me pasion për sporte si regbi, futboll gael, futboll dhe kriket.
“E gjeta veten në një vend shumë të errët. Kisha mendime vetëvrasëse, humba vetëbesimin dhe vetëvlerësimin,” rrëfen ai. Në vitin 2018, me nxitjen e një miku, Patrick vendosi të provonte golfin. Me ndihmën e një trajneri profesionist, ai zhvilloi një teknikë të përshtatur sipas aftësive të tij. Gradualisht, ai rifitoi jo vetëm vetëbesimin, por edhe një komunitet të ri që e mbështeti në çdo hap.
Ironikisht, vrima ku ai realizoi asin shpesh i krijonte probleme. “Tetë nga dhjetë herë topi përfundonte në ujë,” thotë ai. Por këtë herë vendosi të synonte drejt flamurit. Topi ra pak përtej vrimës dhe u kthye mbrapsht, duke përfunduar brenda saj, mes brohorimave dhe admirimit të miqve. “Nuk jam i mirë në golf, por më shpëtoi jetën,” thekson ai. “Nëse unë mund ta bëj, kushdo mundet. Golfi më dha besim, miq dhe vullnetin për të jetuar.”.
