Doktorë si ata nuk vijnë më kurrë. Kështu komentonte dikush në statusin e një mjeku të pensionuar në emigrim, që përmendte me respekt mjekë të brezit paraardhës me të cilët kishte nisur punën në rininë e hershme në Tiranë.

Iu ktheva listës së mjekëve që përmendeshin në status dhe vura re se shumicën prej tyre i pata njohur nga afër ose nga larg, të gjithë të rrethuar me respekt e mirënjohje nga ne, bashkëkohësit.

Pak më tej më zuri syri një status të shkurtër, vetëm një fjali, por që kishte marrë një mijë e ca pëlqime. Në të thuhej: Paksimi i njerëzve të mirë e kërcënon botën e sotme shumë më tepër sesa ngrohja globale apo krizat ekonomike.

Dikur paskësh njerëz të mirë e të zot, sot s’paskërka ose qenkan specie në zhdukje. Mirësia është nocion abstrakt e rrjedhimisht vështirë ta matësh. Po aftësia dhe efektshmëria mund të maten, qoftë edhe tërthorazi.

Mjekët e dikurshëm fjala vjen kishin në dispozicion stetoskopin, bisturinë, ca pak ilaçe jo aq të përparuara e të testuara sa të sotmet, që sillnin më pak dobi dhe shumë më tepër efekte anësore. Hajde krahaso valerianin e dikurshëm me betabllokantët që jep sot kardiologu. Ose hajde krahaso ndërhyrjet krurgjikale ku hapej kraharori a çahej kafka, mbështetur në disa simptoma, me ndërhyrjet e sotme laparoskopike e kompjuterike, të paraprira nga ekzaminime me skaner, rezonancë etj.

E megjithatë mjekët e sotëm nuk qënkan aq të zotë (të mirë jo se jo) sesa ata të dikurshmit. Mundësisht më ndihmoni ta shpjegoj këtë çudi: është dukuri reale apo pjellë psikologjie, perceptimi?

( Nga cikli ‘Dritëhijet e racionales’ )

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb