Doktorë si ata nuk vijnë më kurrë. Kështu komentonte dikush në fejsbuk, përfund statusit të një mjeku të pensionuar në emigrim. Ky i fundit kujtonte me respekt mjekë të brezit paraardhës, me të cilët kishte nisur punën në rininë e hershme në Tiranë gati gjysëm shekulli më parë. Iu ktheva listës së mjekëve që përmendeshin në status dhe vura re se shumicën prej tyre i pata njohur nga afër ose nga larg, të gjithë të rrethuar me respekt e mirënjohje nga ne, bashkëkohësit.

Duke vazhduar ‘shfletimin’ e fejsbukut, pak më tej më zuri syri një status të shkurtër, vetëm një fjali, por që kishte marrë një mijë e ca pëlqime. Në të thuhej: “Paksimi i njerëzve të mirë e kërcënon botën e sotme shumë më tepër sesa ngrohja globale apo krizat ekonomike”. Dikur paskësh njerëz të mirë e të zot, sot s’paskërka ose qenkan specie në zhdukje. Mirësia është nocion abstrakt e rrjedhimisht vështirë ta matësh. Po aftësia dhe efektshmëria, aq të domosdoshme për mjekun e mirë, mund të maten, qoftë edhe tërthorazi.

Mjekët e dikurshëm, fjala vjen, kishin në dispozicion stetoskopin, bisturinë, ca pak ilaçe jo aq të përparuara e të testuara sa këto të sotmet, që mendja ta do se sillnin më pak dobi dhe shumë më tepër efekte anësore. Hajde krahaso valerianin e dikurshëm me betabllokantët që jep sot kardiologu. Ose kujto ndërhyrjet e dikurshme krurgjikale ku hapej kraharori a çahej kafka, mbështetur në disa simptoma dhe krahasoji të gjitha këto me ndërhyrjet e sotme pa prerje, të paraprira e të ndërmjetësuara nga ekzaminime me skaner, rezonancë etj. E megjithatë mjekët e sotëm nuk qënkan aq të zotë (të mirë jo se jo) sesa ata të dikurshmit. Tekstin e mësipërm e postova në fejsbuk duke i grishur miqtë të më ndihmonin, në mos ta shpjegoja këtë çudi, të paktën të bëheshim bashkë e të gjenim: është dukuri reale që buron nga realiteti i dy kohëve të krahasuara, apo është pjellë psikologjie e problem perceptimi; thënë me një metaforë: lidhet me fytyrën apo me pasqyrën.

Pothuajse të gjithë komentuesit parnonin se mjeksia e sotme në botën e zhvilluar, por edhe në anët tona, ka përparuar dhe është ku e ku krahasuar me mjeksinë e dikurshme. Ndryshimet i gjen në të gjitha aspektet, më shkruante një mik i hershëm, mjek, dhe në vijim rendiste arritje të tilla si: diagnostikimi i saktë e i shpejtë, mbështetur jo aq në simptoma të jashtme, por në rezultate kompjuterike; medikamentet e fjalës së fundit të shkencës, që mund t’i gjesh pa shumë vështirësi në rjetin farmaceutik global; ndërhyrjet kirurgjikale nuk mbështeten më tek shqisat dhe bisturia e mjekut, po tek saktësia e teknologjive informatike; portokollet mjeksore përditësohen shpejt duke patur udhërrëfyes përvojat e klinikave më të përparuara në botë; informaciini i ri mjeksor është i arritshëm e i përdorshëm nga të gjithë mjekët në metropole apo në periferitë e globit.

Të gjitha këto, më shkruante miku i hershëm, bëjnë që të mendojmë pozitivisht për mjekësinë e sotme por, krahas tyre rol të veçantë luajnë edhe dy faktorë: menaxhimi i shërbimit shëndetësor plus marrdhëniet mjek – pacient. Parë me sytë e mikut tim mjek mund të thuash se të reajat në teknologjinë mjekësore, në medikamente, protokolle etj. mjekët e sotëm të anëve tona dhe spitalet ku ata punojnë i kanë bërë e i bëjnë të tyre sidokudo e sadokudo, por puna çalon në menaxhim dhe sidomos në marrdhëniet me pacientin.

Këto të fundit, dmth raportet mjek-pacient i përmendnin edhe shumica e komentuesve. Vetkuptohet se një pjesë e mirë e tyre si shkak të parë të roitjes së këtyre raporteve shihnin pagesat nën dorë, ryshfetin, përdorimin e spitalit publik për ‘të shpurë ujë’ në klinika private e në farmaci të paracaktuara. Është vështirë të thuash se të gjithë mjekët dhe stafet shëndetësore janë ryshfetçinj, ashtu siç është vështirë të thuash se sa e përhapur është ky ves, por një gjë mund ta thuash me siguri: korrupsioni dhe ryshfeti ngjyrosin rëndshëm perceptimin publik për mjekun e sotëm, për figurën e tij dhe deomos shtonin pikë në vlerësimet për mjekët e dikurshëm.

Nuk mungonin edhe argumenta të tjerë, vetëm se në një pjesë të rasteve, po t’i shihje më në thellësi e zbehnin dhe e relativizonin supervlerësimin për të dikurshmit. Ata, më shkruante një mikeshë, e ndiqnin të sëmurin në gjithë ecurinë e sëmundjes, këta të sotmit mbushin recetën e të përcjellin tek tjetri. Me gjasë ky ndryshim nuk lidhet aq me mungesë vëmendjeje e përkushtimi nga mjekët e sotëm, sa buron nga specializimet e ngushta: kardiologu sheh pjesën e tij, urologu të vetën, ortopedi eshtrat e kështu me radhë e kështu më tutje. Specializimi është arritje e madhe se mundëson djagnostikim e kurim më të thelluar e më kompetent, po njeriu e sheh vetn si tërësi dhe nuk para ia ka ënda ta përfytyrojnë parcela parcela.

Disa komentues i kundërvinin mjekët e dikurshëm dhe këta të sotmit në segmentin e vëmëndjes, aftësisë për ta dëgjuar e kuptuar pacientin. Në një vështrim më të kujdesshëm edhe ajo që përmblidhet në etiketën ‘nuk të dëgjojnë’ ha diskutim. Mjekët e dikurshëm e kishin bisedën mjet diagnostikimi, meqë teknologjia ishte e varfër dhe jo gjithnjë efikse, mbështeteshin shumë tek simptomat. Kuptohet që një pjesë të mirë të këtyre mund t’i zbulonin nga biseda e vëmendshme me pacientin. Sot kur teknologjitë moderne diagnostikojnë me saktësi kompjuterike gjendjen e organeve të brendshne dhe shumicën e sëmundjeve, nuk hyjnë dhe aq në punë simptomat që përshkruan pacienti. Në këto kushte mjeku mund të shfajësohej duke modifikuar proverbin e vjetër: unë shoh ujkun, ti më flet për gjurmët!

Njeri nga komentuesit nënvizonte infornacionin mjeksor si një nga burimet e vlerësimit të lartë për të dikurshmit dhe prirjen për të nënvleftësuar të sotmit. Pesë gjashtë dekada të shkuara informacioni popullarizues mjeksor ishte i paktë, si të thuash jepej me pikatore, kurse sot vërshon jo vetëm në botime të posaçme por, ca më shumë në media e internet. Me pak aftësi kërkimi mund të mësosh sesi dignostikohet e mjekohet sëmundja jote a e të afërmit tënd në klinikat më moderne të botës, ç’bëjnë e ç’kshillojnë mjekë të famshëm etj. etj. Vetkuptohet se në gjysëmterrin informativ të dikurshëm doktori, qoftë ky edhe i provincës, shfaqej si qënie me areolë, besimi dhe respekti për të vinte e rritej edhe nga fakti se prania e sëmundjes rrit frikrat dhe pasiguritë dhe e shtyn njeriun t’ia shtojë vlerat mjekut edhe kur si ka në ato përmasa, mjafton që të qetësohet e të shpresojë. Në kushtet e sotme, pacientët dhe të afërmit e tyre, të ushqyer me informacion të bollshëm e alternativ kanë prirje të kenë vështrim më esëll e më realist për mjekun.

Vetkuptohet specializimi i ngushtë i mjekëve, diagnostikimi i mbështeur shumë më tepër mbi teknologjinë dhe më aq në simptomat që tregon pacienti, bollëku i informacionit popullarizues dhe faktorë të tjerë dëshmojnë se marrdhënia e sotme mjek – pacient ka arsye objektive të ndryshojë, po kurrsesi nuk e mohojnë domosdonë e komunikimit profesional e njerëzor me pacientin, respektimin e psikologjisë së tij jo thjesht si kërkesë etike, por edhe si mjet që ndihmon kurimin. Në këtë kuadër njeri nga miqtë përmendte sentencën ‘mjeku i mirë shëron sëmundjen, mjeku i madh shëron njeriun’.

Megjithse shumë më të paktë nuk mungonin dhe komentuesit që e shihnin supervlerësimin e mjekëve të dikurshëm si iluzion a sendërgji. Përgjithësisht flisnin për nostalgji, por dukuria që kuptonin me këtë term ndryshonte nga një komentues tek tjetri. Njeri psh e shihte si dukuri thjesht politike, dmth nostalgjikë të së shkuarës totalitare. Janë thjesht viktima të propagandës së dikurshme, shkrunte, atehere kishte mjekesi, kishte doktor te mire, kishte arsim, kishte industri, bujqesi, kishte dhe dajak, po dajak të mirë, ama, ironizonte. E tepërt të thuash se ndër ata që supervlerësojnë mjekët e dikurshëm mund të ketë edhe nostalgjikë të kësaj kategorie, por dukuria ngjan shumë më e gjerë dhe shumë më e tejkohëshme për t’i veshur një kostum kaq të ngushtë.

Një mikeshë, vajzë e re por goxha e përditësuar, më dërgonte një podkast të titulluar ‘Iluzioni i rënies morale’, podkast që mbështetej mbi studimin homonim të dy psikologëve, Adam Mastroianni dhe Daniel Gilbert, të publikuar para një viti në ‘Nature’. Sipas tyre prirja për të menduar se dikur kishte njerëz më të mirë sesa sot dhe se me kalimin e kohës njerëzit bjerren moralisht, është dukuri që e ka shoqëruar njerëzimin që nga kohët antike e deri në ditët tona. Me metoda empirike të dy studjuesët e kishin ndjekur këtë dukuri në 60 vende, në një shtrirje gatl 70 vjeçare dhe kudo u rezultonte e njëjta prirje idealizuese për të shkuarën si dhe qarje për bjerrjen e sotme morale, bjerrje që nuk prekte vetëm brezat pasardhës por edhe bashkëmoshatarët. Vetkuptohet që të sonduarit nuk shihnin ndonjë rënie morale te vetja e tyre…

Sipas dy psikologëve në këto raste kemi të bëjmë me një iluzion që krijohet nga mënyra sesi funksionon truri i njeriut. Pra nuk kemi të bëjmë me sendërgji truri as me persona aluçinantë që mullinjtë e erës i marrin për gjigandë keqbërës, po me njerëz të zakonshëm dhe iluzioni në këtë rast është pjellë e punës së përditshme të një truri normal. Problemi krijohet nga që truri i njeriut ka prirjen që të sotmen dhe të shkuarën t’i perceptojë nga qasje të kundërta.

Kur është fjala për të tashmen, i ndikuar fuqishëm edhe nga mediat, njeriu priret të shohë me përparësi gjërat e këqia. Por kur është fjala për të shkuarën prirja ndrshon kryekëput. Studime të shumta kanë vërtetuar se kur kujton të shkuarën njeriu priret të harrojë ngjarjet negative ose të mos i ripërjetojë ato me ngarkesën e dikurshme emocionale. E kundërta ndodh me kujtimet pozitive, këto bëhen edhe më të pëlqyeshme e më ngashënjyese. Kjo përplasje mes ekspozimit ndaj të keqes së sotme dhe imazheve të së djeshmes që kujtohen me mall, qendron në bazë të asaj që dy psikologët e quanin ‘iluzion i rënies morale’.

Parë në një sheshpamje kaq të gjerë të rezulton se supervlerësimi ‘doktorë si ata nuk vijnë më’ buron më shumë nga pasqyra sesa nga fytyra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb