Nga Fatmira Nikolli
Kënga e grave të Zadrimës, një pasqyrim i jetës së tyre mes kanoneve dhe guximit, u shfaq në dokufilmin “NUSE” me regji nga Robert Bisha. Kënga e tyre, përçon elemente të kujtesës, ritualeve dhe gjeografisë kulturorë të zonës, duke bartur pasurinë e saj por edhe peshën që kanë mbajtur gratë. Kompozitori dhe pianisti Bisha, këtu merr një rol të ri artistik, përmes një procesi kërkimor që evokon shtresëzime kulturore, historike dhe ndryshimesh.
“Kënga dhe tezgjahu janë shumë të lidhura me njëra- tjetrën. Unë nuk kam dashur një dokumentar që jep ritualin e dasmës, por kam dashur të sjell një dëshmi të gjallë të sotme etnomuzikologjike. Kënga ose ritualet që sillen rreth këngës dhe përmes saj përcillen”, tha Bisha në promovim.
Fishta, Zadrima dhe Vau i dejës, bashkë me Shurdhahun, vijnë përmes pamjesh dhe zërash, tingujsh e tekstesh që formësuan e ndikojnë edhe gratë e zonës, bashkë me guximin e tyre të çartun.
“Dokumentari flet për shpronësimet, tentativën për të arritjen e heqjes së disa ritualeve e zëvendësimin e tyre, si ai i kooperativës. Ato kanë qenë rebele, besimtare dhe me sa mundën, anarkiste- që ka shumë domethënie për mua”, tha Bisha.
Dokufilmi i realizuar në kuadër të Javës Kulturore zvicerane, vë në pah arketipe, duke i kundërvënë pushteteve dhe diktaturave, individë që ruajnë brenda vetes, të pandotur njeriun. Dhe njeriun me gjithë mendësinë e tij, edhe atë mendësi që i jep një vend të diskutueshëm, gruas e bijës.
