Emisioni LOG i gazetarit Endri Xhafo nisi sezonin e ri në News24 këtë të hënë, 1 shtator. Me intervista të thelluara dhe panele debati, programi do të analizojë aktualitetin politik, ekonomik e social të vendit, katër herë në javë, nga e hëna në të enjte.
Sonte programi trajtoi në mënyrë të veçantë sulmin e paprecedentë ndaj News24 dhe Panorama Group nga Policia e Shtetit, Policia Ushtarake dhe kompania shtetërore KAYO.
Çfarë ndodhi mes datave 9, 10, 11 dhe deri në 18 gusht me News24 dhe Panorama Group?
Në pjesën e parë të programit u transmetua dokumentari “Pushtimi dhe ringritja e News24”, një film besnik i atyre ditëve që publiku nuk ka mundur ta shohë për shkak se për 9 ditë të plota News24 ka munguar në ekranet tuaja.
Por e vërteta duhet thënë dhe pamjet duhen treguar, ashtu siç ka ndodhur!
Çfarë ndodhi?
Mëngjesin e 9 gushtit, shumë herët, në orën 06:00, pa nisur ende puna në televizionin News24, godina u rrethua nga policia e shtetit dhe forcat e policisë ushtarake të kompanisë shtetërore KAYO dhe në orën 07:36 sinjali i transmetimit të News24 u fik.
Shumë gazetarë që nisnin punën në mëngjes nuk u lejuan të hyjnë në ambientet e punës, si çdo ditë, ndërsa të tjerë që punonin brenda redaksisë, u nxorën jashtë pa asnjë paralajmërim apo njoftim më parë.
Gjithçka u ndërpre menjëherë dhe në ekran ngriu buzëqeshja e moderatores së lajmeve të News24, Ola Bruko.
Ditën e tretë të bllokimit dhe fikjes së sinjalit, më 11 gusht, KAYO nisi plaçkitjen e televizionit, duke ngarkuar në kamiona të gjithë kompjuterat e redaksisë, dosjet e gazetarëve, sendet e tyre personale.
Kjo shkaktoi irritim në radhët e stafit të Fokus Media Grup dhe aktivistëve të shoqatës së gazetarëve, të cilët e quajtën këtë një dhunim të të drejtës së gazetarit për të punuar, duke i mohuar aksesin në ambientet e punës.
Gazetarët protestuan para godinës së News24 deri në orët e vona të mbrëmjes së 11 gushtit, duke kërkuar që materialet e tyre të mos merreshin, por t’u dorëzoheshin atyre.
Por kjo kërkesë nuk u pranua nga forcat ushtarake të KAYO-s.
Një ditë më pas, Gjykata e Tiranës vendosi në mbështetje të gazetarëve që të lejoheshin të merrnin sendet personale, kompjuterin dhe materialet që u morën me dhunë nga ambientet e redaksisë së News24.
Por, pavarësisht vendimit të gjykatës, gazetarët nuk u lejuan të hyjnë në godinë dhe të merrnin sendet e tyre personale. Forcat e “KAYO-s”, kompania shtetërore ushtarake që iu dha me vendim qeverie Godina e Panorama Group, në mënyrë të pashembullt në shkelje të ligjit, ndaluan gazetarët të hyjnë me telefona, madje iu kërkua dhe të hiqnin syzet.
Madje ata dhunuan autorin e emisionit “Vetting”, Ardian Bushi, që refuzoi të heqë syzet.
Absurdi qëndronte dhe në faktin që policia ushtarake i kërkonte gazetarëve të hynin në ambientet e punës një nga një, duke pretenduar që ata t’i mbanin kompjuterat në krahë.
Të gjithë gazetarët e Fokus Media Grup qëndruan para godinës, duke kërkuar të respektohet vendimi i gjykatës së Tiranës që i jepte të drejtë të aksesonin redaksinë ku ndodheshin sendet personale, kompjuterat, dosjet e investigimit, por sërish hasën në bllokadën e policisë ushtarake.
Pas 10 ditësh, News24 rinisi transmetimin në ambientet e një restoranti të përshtatur për televizionin. Të përkushtuar për të mos ndërprerë komunikimin me qytetarët, i gjithë stafi i Fokus Group, News24, BalkanWeb dhe Panorama Grup nisën punën në ambientet e reja, duke cuar përpara misionin e tyre për të informuar qytetarët.
Emisioni Log i plotë
(BalkanWeb)
