Raporti zyrtar i Komisionit Evropian (KE) i datës 15 maj 2025 që po rrjedh sot në media (“Non-paper regarding the Fundamentals for Albania”) shënon aktin e fundit të një mashtrimi të madh publik: atë të Reformës në Drejtësi të miratuar në vitin e largët 2016.
E promovuar si një transformim historik, ajo reformë ka përfunduar si një makinacion politik për të kapur dhe uzurpuar sistemin e drejtësisë, për të intimiduar zërat e pavarur dhe për të krijuar një fasadë gjyqësore, nën kontroll të qeverisë dhe pushtetit të Edi Ramës.
Ky dokument i KE është një akt-akuzë ndaj realitetit të trishtë shqiptar: një drejtësi e dobët, e kompromentuar dhe e paaftë për t’i shërbyer qytetarëve.
Raporti evidenton se vettingu, i paraqitur si mekanizëm pastrimi, ka prodhuar 282 largime dhe 350 konfirmime (fq. 3), por asnjë mekanizëm nuk është ndërtuar për të ruajtur standardet e drejtësisë.
Alarmi bie fuqishëm në momentin kur Komisioni Evropian (KE) dokumenton përpjekjet e Qeverisë shqiptare për të ndërhyrë në çështje të rëndësishme në hetime penale. Rasti i shkurtit 2025, kur pikërisht Kryetari i Bashkisë së Tiranës u arrestua nga SPAK, shënoi sipas këtij raporti kulmin e një vale presioni dhe sulmesh ndaj Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, kryer kjo nga nivelet më të larta të pushtetit politik në vend (fq. 2). Kërcënimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, protestat e organizuara dhe dështimi i Policisë së Shtetit për të garantuar sigurinë, sipas raportit, janë prova e qarta të kapjes së institucioneve të shtetit Shqiptar.
Të gjithë e dinë tashmë se sistemi i drejtësisë ndodhet në kolaps funksional: 9 vjet pas “reformës” ende mungojnë 43% e gjyqtarëve dhe 36% e prokurorëve (fq. 4), ndërsa emërimet bëhen pa transparencë dhe mbi baza klienteliste. Gjyqtarët dhe prokurorët e rinj nuk po trajnohen me cilësinë e nevojshme, ndërkohë që dosjet e qytetarëve zvarriten për vite të tëra – thekson raporti i KE.
Drejtësia e ngadaltë dhe e zvarritur, është bërë drejtësi e mohuar për të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe investitorët, vendas e të huaj. Ndaj gjykoj se nuk jemi thjesht dhe vetëm përballë një reforme të dështuar, por jemi përballë një projekti të deformuar me qëllim kontrollin total të pushtetit mbi drejtësinë.
Shqipëria sot nuk ka drejtësi të pavarur. Ka një sistem të korruptuar, të kapur dhe të përdorur për të mbrojtur të fortët dhe për të shtypur të dobëtit dhe njerëzit e thjeshtë e pa pushtet, një pjesë e mirë e të cilëve mbushin burgjet për “statistika”.
Partia Demokratike e ka ngritur me forcë këtë problem, qysh prej fillimit. Por sot, ky raport i Komisionit Evropian (KE) është konfirmimi i asaj që ne kemi denoncuar prej vitesh: Shqipëria është në krizë të thellë drejtësie, dhe reforma e vitit 2016 ka dështuar me pasoja katastrofike për demokracinë, për qytetarët dhe për rrugën drejt Bashkimit Europian, e cila sot vazhdon e u shitet “si ëndërr” qytetarëve tanë.
Drejtues i Departamentit të Drejtësisë, Partia Demokratike
(BalkanWeb)