Sherif Bundo, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Luarasi”, autor i monografie për “dollinë”, njëri nga hartuesit e dosje për ta futur dollinë në pasurinë kombëtare të trashëgiminë kulturore shqiptare, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka folur rreth kësaj teme.

Sipas Bundos, dollia i jep kuptim sofrës, filozofisë së mikpritjes dhe dialogut në sofër, që i bashkon një gjë: shprehja e hierarkisë së vlerave.

Sherif Bundo: “Mikpritja shqiptare është e veçantë, e jashtëzakonshme, që tregon botën e pastër shpirtërore të shqiptarëve. Në këtë element të rëndësishëm të antropoligjisë së shqiptarëve, dollia është kulmi i emocionit në ritualin e mikpritjes së shqiptarëve.

Çfarë është riti i dollisë? Është një ceremonial që shpreh dashurinë, respektin, ngrohtësinë njerëzore dhe që synon të realizojë atë që quhet lartimisin shpirtëror të dy palëve të përfshira në një sofër, në një tavolinë, në një event, në një ngjarje, në një gosti, në një dasëm dhe që të dyja palët ndihen shpirtërisht të lidhura me të njëjtin objekt dhe subjekt. Pala që i pret miqtë kërkon të shprehë maksimumin e kënaqësisë për të nderuar mikun, për ta ngritur atë në piedestal. Ndërsa pala që është e ftuar kërkon të shprehë mirënjohjen maksimale për të treguar që janë të lumtur dhe të gëzuar që ndodhen miq në këtë familje.

Dollia është institucioni që realizon këtë objektiv, i jep kuptim sofrës, filozofisë së mikpritjes dhe dialogut në sofër, që i bashkon një gjë: shprehja e hierarkisë së vlerave. Nga ana tjetër, dollia është institucioni që garanton që një gosti të mos shthuret për shkak të emocionit, për shkak të euforisë dhe optimizmit që kanë ngjarje të tilla, aq më tepër të nxitura nga avujt e përdorimit të alkoolit.”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb