I ashpër ka qenë qëndrimi i kreut të PD Sali Berisha ndaj kryeministrit Edi Rama duke e akuzuar këtë të fundit për korrupsion dhe lidhjet me krimin.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se mbështet çdo prokuror e gjykatës që respekton ligjin.

Gjithashtu Berisha u ndal edhe tek imuniteti i Ballukut, duke thënë se Rama nuk e dorëzon sepse është i frikësuar për fatin e tij.

“Don Agaçio është një super mafioz që ka duart e tij të zeza në të gjitha proceset mafioze… Asgjë nuk e shpëton nga veprimi i ligjit, por bosi i Don Agaçios është Edi Rama dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Rama e ka kuptuar se kërkesat për Ballukun janë kërkesa për Ramën”, tha ai, duke shtuar: “Palloshi i gjatë qëndron edhe 12 vite në pushtet nëse e lejojmë ne. Qëndrimi ose mosqëndrimi përcaktohet nga reagimi ynë si opozitë. Do ngrihemi ne dhe do kemi mbështetje më të madhe”

Pjesë nga fjala e Berishës:

Edi Rama siç e thatë ju vetë, narrativën e tij e bazoi fund e krye mbi manipulimin dhe mashtrimin.
Ai mori një video të regjistruar nga tashmë i ndjeri, Dritan Prifti tek bisedonte me ish-zv/kryeministrin Ilir Meta, ku ky i fundit i thoshte se kompania e Ymer Toles, i shkruante atij se dëmi i krijuar nga mos zbatimi i vendimit të gjykatës nga ministri Prifti, për ndërmarrjen e tij është 700 mijë euro.
Dhe këtë fjalë 700 mijë euro, Edi Rama me Filip Çakullin e manipuluan, pre dhe ngjit regjistrimin dhe e paraqitën sikur i fliste për një rryfshet që nuk ndodhi kurrë.
Kurse sot 700 mijë euro janë mijëra herë më shumë të vjedhura, të dokumentuara me dokumente zyrtare, me firma, me vula nga Edi Rama, ministrat e tij, familjarët e tij.
Por mbi të gjitha zgjedhjet e 2009, sipas OSBE-ODIHR ishin zgjedhjet që plotësuan kriteret kryesore të OSBE-ODIHR të zgjedhjeve të drejta. Ishin zgjedhje të cilat u dhanë shqiptarëve qeveri legjitime.
Kurse zgjedhjet e 11 majit 2025, ishin një farsë e vërtetë elektorale. Të gjitha këto përbëjnë motive ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare që opozita shqiptare të mobilizohet me gjithë forcën për rrëzimin dhe largimin e këtij pushteti, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: