Kryeministri Edi Rama, një ditë para shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ka reaguar nga Prishtina në lidhje me procesin ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Hagë, duke e cilësuar kërkesën e prokurorëve për dënime deri në 45 vite burg si “absurde”.

Rama deklaroi se e kishte pasur të vështirë të përgatiste një fjalim përballë një situate të tillë, ndërsa vuri në dukje krahasimin me persona të dënuar për krime të rënda lufte nga drejtësia ndërkombëtare, si Radovan Karadžić dhe Ratko Mladić, të dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid.

Sipas Ramës, prokuroria e tribunalit në Hagë po kërkon që katër ish-udhëheqës të UÇK-së të vendosen në të njëjtin nivel me autorë të krimeve masive, ndonëse, sipas tij, nuk është provuar asnjë veprimtari e krahasueshme me terrorin ndaj popullsisë civile, spastrimin etnik apo masakrat si ajo e Srebrenicës.

“Ata nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një të tillë. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr sundimin e të huajve në tokën e tyre”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se vetë Parlamenti i Kosovës votoi krijimin e një gjykate që në letër është gjykatë e Kosovës dhe jo një tribunal për të gjykuar shtetin e Kosovës si të tillë.

Rama përmendi gjithashtu raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për pretendime mbi trafikim organesh, duke e cilësuar atë “famëkeq” dhe duke thënë se akuza të tilla nuk janë provuar në asnjë formë. Sipas tij, ky proces është shtyrë përpara ndër vite, duke përfshirë edhe zhvillime që, sipas Ramës, kanë ndikuar në rrjedhën politike të Kosovës.

Ai deklaroi se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte kthyer nga rruga drejt një takimi në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën kujdesin e Donald Trump, duke shtuar se “që nga ai moment presidenti i Kosovës është marrë peng”.

Në përfundim, Rama pretendoi se edhe Presidentja aktuale e Kosovës Vjosa Osmani ishte kërcënuar për shkak se, sipas tij, nuk kishte lejuar kontroll në zyrën e institucionit të Presidencës nga prokurorët e specializuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb