Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me të penduarin e Drejtësisë, Lefter Reçi, të cilin dy persona tentuan që t’i ndryshonin dëshminë e tij për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lamajt në 2005. Behet fjalë për Elton Goskovëni cili ndodhet tashmë në paraburgim dhe miku i tij, Ervis K, i shpallur në kërkim. Pasi nuk arritën që të realizonin planin e tyre, mësohet se i njohuri me nofkën ‘Reqi i Korçës’ dhe miku i tij, tentuan të rekrutonin një polic të burgut të Drenovës, për të ekzekutuar brenda në qeli, Luftar Recin. Mësohet se punonjësi i policisë, vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë, mesa duket edhe nga frika e ndonjë hakmarrje.
Ai iu dorëzoi autoriteteve, një pluhur, që sipas ekspertizës, rezultoi të ishte një helm, që nëse do t’i hidhej në ushqim Luftar Recit, mund t’i shkaktonte vdekjen. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për jetën e të penduarit u morën masa të rrepta sigurie. Luftar Reçi mori statusin e të penduarit, pasi rrëfeu për dy vrasjet e bujshme.
Pas shumë hetimesh, Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, ish anëtar i Bandës së Durrësit dhe Viktor Imeri u vunë zyrtarisht nën akuzë për ekzekutimin me eksploziv të biznesmenit Lamaj. Ndërsa, ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Rusi akuzohen për organizimin dhe ekzekutimin e Klodian Saliut, që ishte në përplasje me pjesëtarët e grupit ku më herët ai kishte bërë pjesë.
Aktualisht dosja penale, është dorëzuar në gjykatën e Posaçme dhe pritet të zhvillohet seanca paraprake, ku do të vendoset kalimi ose jo i saj për gjykim.
