Teilor Tivari, 24-vjeçari i akuzuar për vrasjen makabre të 51-vjeçarit Valbon (alias Marko) Beqiraj, është paraqitur këtë të premte në Gjykatën e Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Trupi i pajetë i 51-vjeçarit u gjet i masakruar me thikë në banesën e tij në katin e katërt të një pallati në lagjen nr. 12 të qytetit bregdetar, rreth 9 orë pas krimit që ndodhi mëngjesin e 24 shtatorit 2025, rreth orës 10:00. Viktima u zbulua nga nipi i tij në orët e mbrëmjes së po asaj dite, rreth orës 19:00.

Sipas Policisë, Teilor Tivari kishte hyrë në banesën e Beqirajt nën pretekstin e blerjes së kokainës, por situata është përshkallëzuar në një konflikt që përfundoi në vrasje brutale.

“Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Durrësit.

Pas krimit, autori i dyshuar është ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes nga një person tjetër, 27-vjeçari me inicialet Xh. D., i cili e ka transportuar me një mjet taksie në banesën e tij.

Policia bëri të ditur se në vijim të hetimeve janë siguruar prova ligjore që mbështesin autorësinë e të dyshuarve. Të dy personat u arrestuan në flagrancë një ditë pas krimit, më 25 shtator.

Gjatë marrjes në pyetje, Tivari dha një dëshmi tronditëse për motivin e ngjarjes, duke pretenduar se ishte viktimë e një tentative për përdhunim:

“Me 51-vjeçarin njiheshim, ishim miq. Më thirri në banesën e tij dhe shkova për të pirë një gotë birrë. Pas bisedës, ai tentoi të më përdhunonte. Tentova të mbrohesha, por ai ishte më i fuqishëm. I shpëtova, mora thikën e bukës dhe e qëllova. U përleshëm sepse nuk më lejonte të largohesha. Jam larguar i tronditur, nuk e mendoja se do të vdiste.”

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë, ndërsa pritet që Prokuroria të kërkojë masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy të arrestuarit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb