Ermir Rashica është “heroi” i momentit në Korçë. Ai i dha Skënderbeut fitoren e rëndësishme në Kukës me një dygolësh, që largoi “hijet” e qëndrimit në elitë dhe i afroi bardhekuqtë dy pikë larg vendit të katërt.

Pas fitores në Kukës sulmuesi kosovar ka folur për “Panorama Sport”, duke treguar emocionet e golave.

“Ishte një fitore e rëndësishme dhe përcaktuese ajo në Kukës. Vinim nga një humbje në shtëpi dhe ishte shumë e rëndësishme të merrnim maksimumin. Mund të them se kemi interpretuar mirë një takim shumë të vështirë, ku goli i parë na dha siguri dhe qetësi. Kukësi ka cilësi dhe e tregoi me rastet e krijuara, por ne ditëm ta menaxhonim mirë rezultatin dhe gjithë takimin. Ndryshe nga ndeshja me Teutën, morëm në kontroll lojën dhe kishim balancë në të dyja fazat e lojës. Ishte një plus më shumë për ne, që na ndihmoi të fitonim pa shumë probleme. Për golat e shënuar jam shumë i lumtur. Është dygolëshi im i parë me Skënderbeun dhe shpresoj të vijoj të rritem dhe të marr mbi supe më shumë përgjegjësi. Kemi gjetur një ambient shumë të favorshëm, nuk ka dyshim. Jam i bindur se ky grup vetëm mund të rritet dhe sezonin e ardhshëm do të jemi më të fortë. Por më parë duhet të bëjmë mirë këtë sezon dhe ta mbyllim siç duhet”, theksoi Rashica.

SEZONI – I ndalur më pas te pozicioni në renditje, me Skënderbeun larg rënies direkt, Rashica dëshiron të shohë më shumë drejt 4—shes së parë. Një objektiv i arritshëm, sipas sulmuesit të korçarëve.

“Nuk e mendonim fare pjesën e mbijetesës. Jemi të bindur se ky ekip nuk ka si objektiv qëndrimin në Superiore, ambiciet tona shkojnë më lart. Ne kërkojmë të kapim katër vendet e para dhe kjo fitore e kombinuar edhe me rezultatet e tjera të javës na afron në vetëm 2 pikë nga vendi i 4-t. Kjo është diçka pozitive, pasi mban të hapur garën dhe jemi më të përqendruar te sezoni. Kemi besimin se nëse hyjmë në çdo ndeshje për të treguar maksimumin tonë, mund t’ia dalim. Duhet të marrim ndeshjet një e nga një dhe të mos shpërqendrohemi. Kjo është mënyra e vetme për ta arritur qëllimin”, e mbyll prononcimin e tij Ermir Rashica.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb