Dita e parë e provave të lira për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit në Formula 1 u mbyll nën shenjën e Ferrarit. Luis Hamilton regjistroi kohën më të mirë në sesionin e dytë, duke e ndalur kronometrin në 1 minutë, 41 sekonda e 293 mijtat, ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Sharl Lëklrek, vetëm 74 mijtat më i ngadaltë. Pas dy makinave Ferrari, u renditën Mercedesët: Xhorxh Russell, i prekur nga ethet, mbeti 477 mijtat pas Hamiltonit, ndërsa italiani i ri, Andrea Kimi Antoneli, u rendit shumë pranë tij, vetëm 9 mijtat larg.

Gjithsesi, duket se Mercedesi nuk treguoi ende potencialin e plotë. Befasues ishte pozicioni i dobët i MekLarenit, skuadër që kishte dominuar në sesionin e pare. Lando Norris nuk shkoi më shumë se vendi i dhjetë dhe pati një kontakt të fortë me murin, ndërsa Oskar Piastri u rendit i 12-ti, për të përfunduar edhe nën hetim nga Drejtoria e Garës për mosrespektim të flamujve të verdhë.

Megjithatë, edhe MekLareni mund ta ketë fshehur pjesërisht potencialin gjatë simulimeve për të sulmuar kohë të shpejta në kualifikuese. Oliver Bearman (+0.598 sekonda) e mbylli sesionin në vendin e pestë me makinën Haas të pajisur me motor Ferrari. Maks Vershtapen, me një diferencë prej +0.609, u rendit i gjashti, përpara Liam Lousonit (Racing Bulls), Esteban Okonit që futi edhe Haas-in tjetër në top-10, dhe Aleksandër Albonit me Uilliams-Mercedes.

HAMILTON – Ende në kërkim të podiumit të tij të parë me Ferrarin, Luis Hamilton u shfaq tepër i kënaqur me kohën më të shpejtë në FP2, duke e konsideruar madje sesionin e dytë më të mirë të realizuar gjatë këtij viti:

“Në përgjithësi, ishte një ditë produktive. Seanca e parë ishte sfiduese sepse më duhej të mësohesha me frenat, por bëmë disa ndryshime të mira për FP2. Makina u ndje më mirë, gjithçka nisi të funksiononte mirë dhe ndihesha gjithnjë e më komod xhiro pas xhiroje. Ishte shumë pozitive të kishim një seancë të dytë kaq solide, ndoshta FP2 më e mirë e vitit deri tani, gjë që tregon përparimin që po bëjmë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe ende ka disa aspekte ku mund të përmirësohemi për ditën e shtunë”, deklaroi shtatë herë kampioni i botës pas ditës së parë të provave në pistën qytetase në Baku.

LËKLERK – I renditur i dyti në FP2, Sharl Lëklerk deklaroi: “Mendoj se ka mjaft potencial për këtë fundjavë. Sot (dje) kemi bërë një punë të mirë, por dua të nxjerr edhe më shumë. Rivalët tanë duken shumë të fortë dhe pres ndonjë surprizë në kualifikuese. Në këtë pistë gjithçka mund të ndodhë, ndaj do të shohim çfarë do të na sjellë e shtuna. Do të luftojmë për një pozicion të mirë në nisje”, tha Lëklerk.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb