Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe arrestimin e saj.

Koçi u shpreh se dorëheqja e Ballukut do të ishte një akt i mirëpritur dhe në përputhje me standardet që duhen respektuar në një shtet ligjor. Sipas tij, në kushtet aktuale, dorëheqja përbën një qëndrim korrekt përballë drejtësisë.

“Dorëheqja e Ballukut do ishte akt i mirëpritur, këto janë standarde. Për mua, kur flitet për trimëri, e vetmja trimëri sot është të jesh i ndershëm, të jesh i pastër dhe t’i nënshtrohesh ligjit dhe standardeve,” deklaroi Koçi.

Duke komentuar situatën politike dhe qëndrimet e opozitës, ish-deputeti socialist akuzoi PD se kërkesa për një qeveri teknike synon bllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Sipas tij, opozita e sheh integrimin në Bashkimin Europian, të arritur nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, si një humbje politike për veten.

“Opozita do qeverinë teknike për të bllokuar integrimin në BE. Ata mendojnë se integrimi i arritur nën qeverisjen Rama është goditje për ta dhe një pasaportë që nuk duan t’ia lënë PS-së dhe Ramës,” tha Koçi, duke i cilësuar këto si “llogari shpirtngushta”.

Ai solli si shembull edhe kundërshtimet e opozitës ndaj Samitit të Bashkimit Europian të mbajtur në Shqipëri, duke theksuar se protesta e organizuar në atë kohë tregoi, sipas tij, një qasje negative ndaj çdo zhvillimi pozitiv për vendin.

“Kur është diçka pozitive për vendin, duhet toleruar edhe i ashtuquajturi përfitim politik i palës në pushtet, por ky nuk është gjykimi i tyre,” u shpreh Koçi.

Në përfundim, ai kritikoi opozitën për mënyrën se si ka konceptuar rolin e saj ndër vite, duke theksuar se ka synuar më shumë të jetë një opozitë e fortë në kuptimin fizik të fjalës, sesa një opozitë e besueshme dhe konstruktive.

“Opozita gjithë jetën ka menduar si të jetë opozitë e fortë, por jo një opozitë e mirë, që ndryshon imazhin dhe liderin, shkëputet nga e kaluara dhe nga veprimet që e kompromentojnë rëndë,” përfundoi Koçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb