I ftuar në emisionin “Open”, eksperti i sigurisë kombëtare, Ergys Muzhaqi, tha se dorëheqja e kreut të SHISH, Helidon Bendo, erdhi në një kohë të vështirë për sigurinë e vendit.
Në një kohë që disa prej sistemeve ishin prekur nga sulmet e hackerave, Bendo dha dorëheqjen dhe nga ana tjetër sipas Muzhaqit, u shpërblye me postin e këshilltarit të kryeministrit. Ai tha se në atë rast nuk duhej të flitej për shpërblime, por disa organe duhet të mbanin përgjegjësi për situatën e ndodhur nga sulmet kibernetike në vend.
“Ndarja e përgjegjësive dhe marrja e shpërblimeve. Jemi nën efektet e sulmit kibernetik, të hacerimit të shumë institucioneve. Pikëpyetja numër 1, është kush i mbron këto personat e ekspozuar. Pikëpyetja 2, kush mban përgjegjësi për këto? Në ujërat që ne po notojnë dhe në pozitat që ne kemi si në Ballkanin Perëndimor, padyshim që duhet të lidhemi me partnerë të fuqishëm dhe ne jemi lidhur me SHBA. Po detyrat e shtëpisë kush do të na i bëjë? A ka një personazh apo disa të rëndësishëm që mbajnë përgjegjësi për at që ndodhën këtu. SHISH hackerohet, ekspozohen shumica e njerëzve, dy krerët, promovohen akoma dhe më tepër. AKSHI, në vend që të marrim vesh kush është përgjegjës, kërkojnë rritje rrogash. Fenomeni është i gjerë. Kush i merr përgjegjësitë dhe shpërblimet?! Nga ana tjetër si do të funksionojmë ne për një shërbim cilësor?”, tha Muzhaqi.
(BalkanWeb)
