“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” ka publikuar platformën e saj politike për kapërcimin e situatës në vend, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie të re me bazë të gjerë për Europën. LZHK vlerëson se Shqipëria po përjeton një krizë të thellë politike, institucionale, sociale, demografike dhe ekonomike. Ajo thekson se shteti është institucioni i përbashkët i qytetarëve, ndërsa qeverisja përbën një përgjegjësi të përkohshme.
“Ne nisemi nga parimi se shteti nuk është pronë e atyre që qeverisin, por është institucioni i përbashkët i qytetarëve, ndërsa qeverisja është një përgjegjësi e përkohshme”, thuhet në deklaratë.
Platforma parashikon shfuqizimin e katër ligjeve: atij për investimet strategjike, për zonat e mbrojtura, për paketën e maleve dhe për koncesionet e partneritetin publik privat. Gjithashtu, lëvizja kërkon shfuqizimin e ligjit për reformën territoriale dhe miratimin me konsensus politik të reformës territoriale dhe reformës zgjedhore.
Një tjetër pikë është shfuqizimi i ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, të cilat, sipas lëvizjes, duhet të zhbëhen për të rikthyer funksionimin normal të shtetit dhe demokracisë. Platforma përfshin edhe mbështetjen politike për SPAK-un. Në përfundim të deklaratës, lëvizja njofton se do të jetë e pranishme në protestën e nesërme dhe u bën thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive e paqësore.
Deklarata për mediat:
Është fakt që Shqipëria po përjeton një krizë të thellë politike dhe institucionale; sociale dhe qytetare; demografike dhe ekonomike.
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” është investuar shumë për një demokraci funksionale dhe forcimin institucional të shtetit. Që në krijimin e saj kemi përcaktuar slloganin politik “Ne bëjmë shtet”.
Ne nisemi nga parimi se shteti nuk është pronë e atyre që qeverisin, por është institucioni i përbashkët i qytetarëve, ndërsa qeverisja është një përgjegjësi e përkohshme.
Për kapërcimin e krizës së thellë në të cilën është zhytur vendi, “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” publikon Platformen e saj politike, si më poshtë:
- Dorëheqje e kryeministrit Rama.
- Krijimi i një Qeverie të re me bazë të gjërë për Europën.
- Shfuqizimi i katër ligjeve: Ligji Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”; Ligji Nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”; Ligji Nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve” dhe Ligji Nr. 88/2025 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
- Shfuqizimi i ligjit “Për Reformën Territoriale”.
- Miratimi me konsensus politik i Reformes Territoriale dhe Reformes Zgjedhore.
- Shfuqizimi i ndryshimeve kushtetuese të miratuara më 21 prill 2008, me qëllim rikthimin e funksionimit normal të shtetit dhe të demokracisë.
- Mbështetje politike për SPAK-un.
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” me këtë Platformë, është e hapur për të diskutuar me të gjithë aktorët dhe faktorët politik real, sikurse është e gatshme në kontributin e saj për të kaluar situatën e rëndë që po kalon Shqipëria.
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” ka mbështetur protestat qytetare dhe rinore, që në diten e parë me 31.05.2026, sikurse do të jemi edhe nesër prezent në protestë. I bëjmë thirrje qytetarisë të dalë masivisht në shesh, për të protestuar në mënyrë paqësore.
